Kuvend, vazhdon debati për zgjedhjen e ministrave të rinj

24.02.2023 11:48

Në Kuvend sot duhet të vazhdojë....

Në Kuvend sot duhet të vazhdojë debati për zgjedhjen e ministrave të rinj për drejtësi, shëndetësi, shoqëri informatike si dhe mjedis dhe planifikim hapësinor, kuadro të përzgjedhura tashmë nga  partneri i ri i koalicionit qeveritar, Aleanca për Shqiptarët.

 Krenar Loga është propozuar për ministër të Drejtësisë, Fatmir Mexhiti për ministër të Shëndetësisë, Azir Aliu për Ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës dhe Kaja Shukova për Ministre të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Debati  mbrëmë  ka zgjatur deri në ora dy të mëngjesit, ndërkohë që kryeparlamentari Talat Xhaferi vazhdimin e kësaj séance e ka caktuar për sot në mesditë.

Seanca plenare për riformatimin e Qeverisë filloi më 13 shkurt. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në fillim të debatit për zgjedhjen e ministrave të rinj, tre prej të cilëve janë nga radhët e “Aleancës për Shqiptarët”, kërkoi besimin e deputetëve për formimin, siç tha ai, Qeveri më e qëndrueshme, më e suksesshme, efikase dhe e fokusuar.

Riformatimi u bë pasi partia Aleanca për Shqiptarët iu bashkua koalicionit qeveritar dhe më pas Alternativa u largua nga qeveria.