Osmani fjalim në OKB: Populli ukrainas nuk është vetëm
Një ditë pas fjalimit të tij në seancën e 11-të...

Një ditë pas fjalimit të tij në seancën e 11-të speciale emergjente të Kuvendit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot i drejtohet Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në debatin e hapur për Ukrainën me temën “Forcimi i përgjegjësisë dhe drejtësisë për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare”.
Ai ka dënuar ashpër agresionin ushtarak të Federatës Ruse kundër Ukrainës. Edhe në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Osmani i dërgoi mesazh popullit ukrainas në shenjë të mbështetjes për guximin dhe vendosmërinë e tij në rezistencën ndaj invazionit ushtarak 12-mujor nga Rusia.
“Ne jemi të vetëdijshëm për vuajtjet që keni kaluar gjatë 12 muajve të fundit. Qëndrojmë në solidaritet me ju. Maqedonia e Veriut, si kryesuese e OSBE-së, do të vazhdojë ta mbështesë Ukrainën në këto kohë të vështira. Kjo mbështetje do të jetë edhe më e fortë kur më në fund do të kthehet paqja. Ky është angazhimi dhe synimi ynë. Nuk jeni vetëm”, thuhet në mesazhin e Osmanit.
