Osmani në KB: Vuajtjet në Ukrainë duhet të ndalen
Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani...

Kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, duke folur në seancën e 11-të Speciale Emergjente të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju -Jork, dënoi ashpër agresionin ushtarak të Federatës ruse ndaj Ukrainës.
Ai theksoi se është e palejueshme që një shtet të ndryshojë me forcë kufijtë e fqinjit të tij demokratik, të shkatërrojë infrastrukturën e tij dhe të shkaktojë vuajtje të padurueshme për popullatën civile.
“Nuk mund të lejojmë apo pranojmë pushtimin e territoreve me luftë, referendume të organizuara në mënyrë qesharake për territoret e pushtuara. Nuk mund ta pranojmë sundimin me dhunë dhe të lëmë më të fuqishmit të vendosin për fatin e popujve të tjerë.”, - deklaroi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani.
Osmani u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së të qëndrojnë në solidaritet me Ukrainën dhe popullin e saj, si dhe të mbështesin Kartën e OKB-së, e cila është përgjegjësia e tyre e përbashkët.
“Sot është Ukraina, nesër mund të jetë cilido nga vendet tona që mbështetet në rregullat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe e konsideron Kartën e OKB-së si një garanci të padiskutueshme të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve. Federata Ruse ka shkelur këto parime themelore, të cilat ne të gjithë i vlerësojmë dhe për të cilat jemi dakord të gjithë, pavarësisht dallimeve tona.”, - theksoi kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi me shumicë dërrmuese një rezolutë ku bën thirrje për “paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe afatgjatë” sa më shpejt që të jetë e mundur në Ukrainë, në përputhje me parimet e Kartës së OKB-së.
Rezoluta gjithashtu përsërit kërkesën e asamblesë që Rusia “të tërheqë menjëherë, plotësisht dhe pa kushte të gjitha forcat e saj ushtarake nga territori i Ukrainës në kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht, si dhe bën thirrje për ndalje të luftimeve”. (Safet Ademi, TVM2)
