Kovaçevski: Të denoncohen shkeljet e ligjit nga funksionarët

24.02.2023 15:39

Çdo shkelje e Ligjit duhet të sanksionohet nga organet kompetente...

Çdo shkelje e Ligjit duhet të sanksionohet nga organet kompetente, përfshirë edhe për keqpërdorimet e veturave zyrtare nga funksionarë të lartë për qëllime partiake. Kështu deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski teksa shtoi çdo denoncim për shkelje qeveria e trajton përmes institucioneve përkatëse. Ai ftoi që qytetarët dhe institucionet të denoncojnë çdo shkelje të ligjit.

“Gjithçka që vjen si informacion për dyshime të caktuara për sjellje të pakujdesshme apo sjellje të pahijshme trajtohet përmes zyrës së zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë në institucionet përkatëse, sepse qeveria nuk është as prokurore e as gjyqtare dhe për këtë nuk ka pasur asnjë përjashtim deri tani. Nëse dikush ka dyshime për keqpërdorime të caktuara, atëherë të gjitha institucionet janë në dispozicion për ta paraqitur dhe për t’u proceduar dhe sanksionuar sipas ligjeve të shtetit.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.

Përgjegjësia etike dhe morale, siç theksoi kryeministri, sanksionohet sipas Kodit Etik të miratuar nga Qeveria dhe vlen për të gjithë funksionarët e emëruar nën kompetencën e Qeverisë. (Naim Ramadani, TVM2)