Maqedoni

Konferenca “Ukraina - vit i heroizmit”: Rusia ka shkelur të gjitha ligjet ndërkombëtare

24.02.2023 16:01

Rusia ka shkelur të gjitha ligjet e së drejtës ndërkombëtare dhe parimet e miratuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë..

Rusia ka shkelur të gjitha ligjet e së drejtës ndërkombëtare dhe parimet e miratuara pas përfundimit të Luftës së Ftohtë për pandryshueshmërinë e kufijve. Kjo u tha gjatë konferencës “Ukraina - vit i heroizmit”, ku u shënua një vjetori i fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Nuk po mbrojmë vetëm territoret tona, por edhe vlerat demokratike, tha ambasadorja e Ukrainës në vend, Larisa Dir. 
 
“Ukrainasit po japin jetën e tyre, jo vetëm duke mbrojtur territorin dhe sovranitetin e tyre. Ukrainasit po i mbrojnë vlerat përmes së cilave jeton bota demokratike civilizuese.”, - theksoi ambasadorja e Ukrainës, Larisa Dir. 
 
Krerët shtetëror me mesazhe mbështetjeje për kombin ukrainas. I vetmi rezultat i drejtë i luftës është që Ukraina të çlirohet plotësisht, tha presidenti i shtetit Pendarovski.
 
“Për çdo qenie humane, morale, rezultati i  vetëm i drejtë, duhet të jetë territor i lirë i Ukrainës. Nuk ka mëdyshje se Ukraina është fituesi moral i këtij konflikti, sepse arriti në kauzën e saj ta bashkoj botën demokratike, e cila tregoi solidaritet dhe mbështetje të paparë në kundërshtim të shkeljes të së drejtave njerëzore.”, - u shpreh presidenti i RMV-së, Stevo Pendaroski. 
 
Kryetari i Kuvendit dhe ministrja e Mbrojtjes, Xhaferi dhe Petrovska, të cilët vizituan Ukrainën, thanë se bota demokratike duhet të vazhdojë ta mbështesë vendin. Sipas kryeparlamentarit Xhaferi, kjo luftë është edhe alarm për BE-në që të integrojë Ballkanin Perëndimor brenda saj. 
 
“Marrëveshje paqësore nuk arrihet kur kundërshtarin e shikon përmes shënjestrës së armës. Nuk ka më kohë për të humbur. Tani më shumë se kurrë vërtetohet se sa është i rëndësishëm zgjerimi i Bashkimit Evropian edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor për sigurinë, stabilitetin dhe konsolidimin demokratik të kontinentit evropian.”, - deklaroi kryeparlamentari i RMV-së, Talat Xhaferi. 
 
“Ndihmën dhe mbështetjen tonë do ta kenë deri sa populli ukrainas do ta realizojnë të drejtën e tyre, të lëvizin lirshëm dhe të jetojnë lirshëm në territorin dhe shtetin e tyre, e cila është e njohur ndërkombëtarisht.”, - theksoi ministrja e mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
 
Maqedonia, si kryesuese e OSBE-së, mbështet negociatat për paqen dhe përfundimin e luftës, si dhe dënimin e të gjitha krimeve të luftës të kryera në Ukrainë, thanë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
 
BELINDA KOKA ADEMI