Maqedoni
Paralajmërimet për rritjen e çmimit të bukës, Bytiqi: Nuk ka asnjë kërkesë, i gatshëm të bisedojë
24.02.2023 16:15
Paralajmërimet e industrisë së furrave të bukës se do rrisin çmimet...

Paralajmërimet e industrisë së furrave të bukës se do rrisin çmimet, nëse shteti nuk subvencionon pagat e furrave janë me karakter kërcënues dhe aspak në frymën e raportit të partneritetet që është ndërtuar ndër vite, vlerëson zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi. Ai thotë se deri te ai nuk ka arritur një kërkesë e tillë, por se është i gatshëm të bisedojë me të gjitha degët ekonomike. Ndërkohë rikujtoi se industria e furrave të bukës është subvencionuar në pjesën e energjisë elektrike, por nga ana tjetër vetëm një pjesë e kësaj industrie kanë mbajtur premtimin për uljen e çmimeve.
“Vetëm një pjesë e vogël e industrisë së furrave të bukës e plotësuan atë marrëveshje që e kishim për uljen e çmimeve. Dhe tani pyetja është nëse kemi nevojë për një marrëveshje të re zotëri apo nëse kemi nevojë për rregulla të reja për krijimin e tregut. Po, jam i gatshëm të bisedoj, por jam i gatshëm edhe për masa më radikale në kuptimin, po do të ndihmojmë, por atëherë shteti do të jetë partner në bizneset e tyre.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi.
Lidhur me uljen e çmimeve, Bytiqi tha se ka ulje, por jo në masën e parashikuar. Ai thotë se është kundër masave radikale, por nëse argumentet nuk janë në anën e industrive, atëherë qeveria është e gatshme të anulojë subvencionimin e energjisë elektrike. Ndërsa, nga muaji mars paralajmërohet rritje e re e rrogës minimale.
“Sipas informacioneve të fundit që i publikoi Enti shtetëror për statistikë 12.55% do të jetë rritja e pagës minimale ose duhet të presim që paga minimale do të jetë rreth 20 mijë e 200 denar.”, - u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi.
Kryeministri Kovaçevski konsideron se kompanitë që nuk ulin çmimet, nuk duhet të marrin rrymë të subvencionuar, ndërsa Inspeksioni i Tregut i përcakton arsyet e lëvizjes së tyre.
SANIJE DURAKU
