Kuvend, vazhdon diskutimi për ministrat e rinj
Kuvendi vazhdon diskutimin për propozimin e kryeministrit Kovaçevski....

Kuvendi vazhdon diskutimin për propozimin e kryeministrit Kovaçevski për zgjedhjen e katër ministrave të rinj në kabinetin qeveritar. Futja e ASh-së në Qeveri sipas Lëvizjes “Besa” ka për qëllim që të shpëtojë BDI-në. Deputeti Fadil Zendeli, thotë se nuk mbaron arsyetimi se kjo ndodh për të shpëtuar procesin eurointegrues.
“Me hyrjen tuaj në qeveri e shpëtuat BDI-në në një moment shumë kritik për të. Edhe kësaj situate nuk keni si t’i ikni me arsyetimet për integrime evropiane dhe ndryshime kushtetuese. Këto janë demagogji e pastër. Më befasoni si subjekt politik për shkak se ju një herë e provuat hyrjen në qeveri në vitin 2017 dhe në fund mbetët me byrekun, por këtij byreku filloi t’i vijë era.”, - deklaroi deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.
BDI-në e shpëtuat ju në vitin 2020, kur ASh pretendonte ta rrëzojë prej pushteti, u kundërpërgjigjën nga ASh.
“Kur nuk kishte asnjë shpresë për çështjet eurointegruese, në vitin 2020, kur shteti ishte i bllokuar, kur raportet e progresit ishin shumë negative për shtetin tonë dhe kur ASh të rrëzojë BDI-në prej pushteti, ju fatkeqësisht atëherë, në emër të eurointegrimeve dhe për inatet tuaja me Alternativën nuk u rreshtuat me Aleancën, por dolët me lista të përbashkëta me LSDM-në dhe pastaj i dhatë legjitimitet edhe BDI-së.”, - theksoi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
VMRO me akuza për pazare politike dhe korrupsion politik. Ngriti dyshime edhe për kandidatin e ASh-së për ministër të shëndetësisë.
“Kandidati për ministër të shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, duhet t’i sqarojë opinionit se si nga një barakë modeste, për momentin po ndërton një vilë të madhe prej 336 metër katrorë, në lagjen elitare në Shkup, në Taftalixhe dhe si fqinj të parë ka Arben Taravarin. Kështu duket korrupsioni politik në Maqedoni.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
Hajni fton të kapim hajnin, reaguan nga LSDM. Sipas tyre VMRO ka rreth 400 zyrtarë që po ndiqen penalisht për krim dhe korrupsion.
“Është e pamundur që partia më e korruptuar të thërret dikë për përfshirje në krim. 400 bartës funksionesh prej tyre janë të përfshirë në veprime kriminale dhe sa prej tyre janë të dënuar pasi kanë pranuar fajin. Të shkoni në pallatin e tyre të bardhë dhe prej atje të shisni moral, mbani hajnin, ndërsa hajni rri brenda s’është as ideologji as program.”, - theksoi Marija Georgievska nga LSDM.
Diskutimi për kandidatët për ministra është i përbashkët, ndërsa zgjedhja do të bëhet me votime të ndara. Për diskutim janë paraqitur mbi 20 deputetë, kryesisht nga opozita. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
