Botë

Një vit nga konflikti ruso-ukrainas

24.02.2023 16:44

U shënua një vit nga shpërthimet e para, në orët e hershme të mëngjesit, të cilat tronditën qytetet e rëndësishme ukrainase....

U shënua një vit nga shpërthimet e para, në orët e hershme të mëngjesit, të cilat tronditën qytetet e rëndësishme ukrainase duke përfshirë edhe Kievin nga Rusia, e cila sulmoi Ukrainën nga toka, ajri dhe deti. Kjo situatë shfaqi  një realitet të ri në Evropë, e cila paraqiti në skenë sfidën e destabilizimit ekonomik gjithëpërfshirës. Ukraina ka regjistruar mbi pesë mijë raketa, 3.500 sulme ajrore dhe rreth 1.100 sulme me dron. Lufta edhe sot vazhdon, ndërsa shumë prej qyteteve janë kthyer në gërmadha, mijëra të vdekur e të plagosur dhe miliona të larguar nga shtëpitë e tyre.
 
“Ne s’do të pushojmë asnjëherë, derisa vrasësit rusë të përballen me dënimin që meritojnë. Dënimi i Gjykatës Ndërkombëtare, vendimi është i qartë, 9 vite më parë fqinji ynë u bë agresor, para një viti agresori u bë xhelat, grabitës dhe terrorist. Ne nuk dyshojmë se do të përgjigjen. Nuk dyshojmë se do të fitojmë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Mbrëmë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që kërkon tërheqjen e menjëhershme të trupave ruse nga Ukraina, duke bërë thirrje për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Ndërkohë Ukraina pret mbështetjen e aleatëve. Brenda vitit krerët e shumë shteteve dhe qeverive u munduan të ndërmjetësojnë në ndalimin e dhunës dhe zgjidhjen e konfliktit, por pa rezultate. Plani i fundit paqësor është ai kinez me 12 pika, i cili hasi në reagime nga përfaqësuesit ndërkombëtar. Ndërkohë, qytetarët e Moskës shprehën nderimet e tyre për presidentin Putin të cilët luftën e konsiderojnë si operacion special ushtarak. 
 
“Ishte e drejtë nisja e luftës, sepse duhej të rikthejmë territoret tona.”,  - tha një qytetar.
 
“Unë jam nga Belgorodi, frikohesha të qëndroj aty për një vjetorin e luftës dhe u ktheva në Moskë.”, - u shpreh një qytetare.
 
“Mendoj se presidenti ynë po bën gjithçka si duhet.”, - theksoi një qytetare.
 
Forcat e armatosura shërbejnë si garanci e sigurt për sigurinë kombëtare dhe zhvillimin stabil të Rusisë. Sot edhe njëherë jemi të rrezikuar. Duke shfrytëzuar Ukrainën, perëndimi kolektiv po përpiqet të copëtojë Rusinë, tha ministri rus i mbrojtjes. Presidenti Biden do të zhvilloj takim virtuel me liderët e G7-ës dhe kryetarin ukrainas ku pritet të propozohen sanksione të reja më të ashpra për Rusinë dhe ndihmën e mëtutjeshme për Ukrainën. 
 
LEUNORA KALIQI