Botë
Makron, Scholc dhe Meloni letër Kurtit para takimit të së hënës me Vuçiqin
26.02.2023 19:14
Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni...

Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, I kanë shkruar një letër kryeministrit Kurti, një ditë para takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Ata e kanë mirëpritur vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, dhe e kanë përmendur nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të saj.
“Në konkluzionet e 9 shkurtit, Këshilli Evropian e ka shprehur mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe të njëjtën kohë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, obligimet që kanë marrë në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, kanë thënë liderët evropianë.
Ata kanë thënë se presin që në takimin e 27 shkurtit të diskutohet për propozimin e BE-së dhe obligimet që dalin nga procesi i dialogut, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.
Duke e përmendur rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe arritjes së pajtueshmërisë, Macron, Scholz dhe Meloni, kanë thënë se janë të bindur që nga një përparim i tillë përfitojnë qytetarët, si dhe avancohet rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane.
