Botë

SHBA, Evropa “të bashkuara” për Ukrainën

08.02.2015 15:22

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë se nuk ka dallime midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës kur bëhet fjalë për ndërhyrjen e Rusisë në Ukrainë...

Duke folur në një konferencë ndërkombëtare të sigurisë në Mynih, Kerry ka mohuar se dy palët janë të ndara, duke thënë se SHBA-ja dhe Evropa janë të bashkuara dhe duke punuar ngushtë në mbështetje të Ukrainës.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se nëse Rusia vazhdon të destabilizojë lindjen e Ukrainës, Perëndimi do të detyrohet të rrisë koston për Rusinë. Komentet e Kerryt vijnë pas raporteve se disa shtete evropiane kundërshtojnë planet potenciale të SHBA-së për të furnizuar Kievin me armë vdekjeprurëse.

Gjermania dhe Franca kanë thënë se furnizmi me armë i Ukrainës vetëm se do ta zgjaste luftën midis forcave qeveritare dhe rebelëve pro-rusë.

Ndërkohë, një zëdhënës i Qeverisë gjermane ka thënë se liderët e Gjermanisë, Francës, Ukrainës dhe Rusisë do të mbajnë një samit për krizën në Ukrainë, më 11 shkrut në Minsk.

Zëdhënësi i Merkelit ka thënë se katër liderët kanë biseduar për hapat e ardhshëm drejt një plani të paqes.

Putin më vonë ka thënë se bisedimet do të vazhdojnë vetëm nëse katër palët dakordohen “për një numër pikash deri në atë kohë”.