Botë
Në Bruksel mbahet sot takimi Vuçiq – Kurti, BE e vendosur për marrëveshje finale
27.02.2023 11:43
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç..

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, do të takohen pasditen e sotme në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të cilin e ndërmjetëson Bashkimi Evropian.
Fillimisht kryediplomati i BE-së, Josep Borell, do të ketë takime të ndara me të dy liderët, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm i bllokut evropian për këtë proces, Mirosllav Lajçak. Më vonë do të zhvillohet takimi i përbashkët. Blloku evropian e konsideron takimin më të rëndësishmin. Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve. Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.
Brukseli pret që Kurti dhe Vuçiq të pranojnë propozimin, pa diskutime të mëtejme. Pikë për debat pritet të jetë vetëm marrëveshja për zbatim. Siç është bërë e ditur nga vetë Brukseli zyrtarë, përmbajtja e propozimit është e njohur për palët qysh nga muaji shtator i vitit 2022, andaj palët ndërmjetësuese të dialogut konsiderojnë se nuk duhet të zgjatet edhe më tej debati për draft marrëveshjen. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se pret një takim të vështirë duke shtuar se “është i gatshëm të punojë në konceptin e planit të ofruar, por me kufizime të qarta të caktuara nga ai”. Gjatë bisedës telefonike me këshilltarin e posaçëm në Departamentin e Shtetit amerikan, Derek Chollet, i ka thënë se pret që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
