Maqedoni
Propozimi për bashkësi të komunave shqiptare, kryeministri e hodhi poshtë idenë e Alternativës
27.02.2023 15:11
Propozimi i Alternativës për formimin e një bashkësie të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut...

Propozimi i Alternativës për formimin e një bashkësie të komunave shqiptare në Maqedoninë e Veriut është i papranueshëm për kryeministrin, Dimitar Kovaçevski. Sipas tij, kjo ide është jo serioze dhe në kundërshtim me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Propozuesit e kësaj ideje nuk i kanë rishikuar marrëveshjet me të cilat zgjidhen çështjet e identitetit në Ballkan, konsideron Kovaçevski.
“Ata që po e kurdisin këtë gjë, vlerësoj se o janë të pa informuar ose nuk i kanë rishikuar mirë marrëveshjet të cilat i zgjidhin çështjet e identitetit në Ballkan dhe do të duhet të thellohen pak më shumë në atë se në çfarë mënyre janë zgjidhur problemet në Maqedoninë e Veriut dhe në cilën mënyrë do të zgjidhen problemet në Kosovë.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Propozimi i Alternativës për ministrin për vetëqeverisje lokale është një përpjekje për të fituar pikë politike. Sipas tij, me Marrëveshjen e Ohrit, çështja e vetëqeverisjes lokale është mbyllur dhe ajo i plotëson nevojat e të gjithë qytetarëve dhe kombësive.
“Unë kuptoj që momenti është tani, dikush do të fitoj pikë politike, megjithatë duhet të jenë të kujdesshëm, deklaratat e tilla, kërkesat e tilla mund të ndikojnë në raportet ndërnjerëzore, të cilat për fat të mirë janë shumë më stabile sot dhe supozoj se qytetarët nuk do të ndikohen nga kërkesa të tilla për dekompozimin e shtetit.”, - theksoi ministri për vetëqeverisje lokale, Risto Penov.
Ideja e kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi u hodh poshtë edhe nga LSDM, BDI dhe Aleanca për Shqiptarët me vlerësimin se është përpjekje e partisë për të mbijetuar në skenën politike.
SANIJE DURAKU
