Maqedoni
Rikonstruimi i qeverisë, VMRO: Koalicioni, rezultat i pazareve politike
27.02.2023 15:44
Koalicioni i ri qeverisës me përfshirjen e Aleancës për Shqiptarët, nga deputetët e VMRO – DPMNE-së...

Koalicioni i ri qeverisës me përfshirjen e Aleancës për Shqiptarët, nga deputetët e VMRO – DPMNE-së u cilësua si koalicion i krimit dhe i pazareve politike nën dirigjim të BDI-së. Në vazhdimësinë e përzgjedhjes së ministrave të rinj, deputeti Koceski tha se kryeministri Kovaçevski po tenton të shpëtojë qeverinë me shpjegimet e tij të paqëndrueshme se ndryshimet po bëhen në emër të integrimit.
“Sikurse nuk u tha asnjë fjalë për ministrat e shkarkuar nga propozuesi Kovaçevski; përkundrazi me një tekst të shkruar nga Artan Grubi, kryerësi Kovaçevski tentoi në mënyrë të pasuksesshme ta sqarojë të gjithë situatën për këtë propozim për ministra në qeveri. Me tekstin e njëjtë, Kovaçevski po paraqitet disa ditë dhe lirisht mund të konstatoj se e gjithë kjo situatë është një pazar për të shpëtuar Artan Grubin, për të shpëtuar Kovaçevskin dhe të njerëzve të afërt rreth Grubit dhe Kovaçevskit. Ja kjo është rruga juaj evropiane.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Zoran Koceski.
Kaevski: VMRO, shembull i krimit
Nga LSDM sugjeruan deputetët e VMRO-DPMNE-së, që kur flasin për krimin, të marrin shembuj nisur nga vetja.
“Kur flisni për krim, fillimisht do të duhet të rikujtoni se vini nga një parti ku pallati i bardhë është i ndërtuar me stil luksoz dhe për rreth 100 funksionarë të juaj partiak është nisur proces gjyqësor për krim dhe korrupsion. Ju kur flisni për krim do të duhet të keni fytyrë dhe të kuptoni se lideri juaj ka ndërtuar shtëpi prej 1 milion euro. Ju po flisni me mllef, pasi u gënjyet se do të keni shumicë të re parlamentare.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Darko Kaevski.
Aziri: ASh gjithmonë ka qenë parti proevropiane
Edhe deputetët e Aleancës për Shqiptarët për përfshirje në krim drejtojnë gishtin kah VMRO dhe akuzuan njëkohësisht se nuk dëshirojnë të kuptojnë rolin proevropian të ASh-së.
“Aleanca për Shqiptarët që nga viti 2016-të, dëshmoi se është garanci e gjithë procesit, që shteti ynë ka obligim ta zbatojë, pavarësisht pozicionit në të cilin ndodhemi ne pozitë apo opozitë ne vepruam si burrështetas dhe në përputhje me të gjitha premtimet tona që i dhamë para qytetarëve gjatë vitit 2020 dhe para kësaj.”, - u shpreh deputeti i ASh-së, Elmi Aziri.
Konfiguracionit të ri qeverisës pritet t’i shtohen katër emra, tre kuadër të ASh-së dhe një e LSDM-së. Krenar Lloga propozohet për ministër të drejtësisë; Fatmir Mexhiti, ministër i shëndetësisë; Azir Aliu, ministër i shoqërisë informatike dhe administratës dhe social demokratja, Kaja Shukova, ministre e ambientit.
MERAL ISMAILI
