Botë

Nuk ndalen ikjet, Kosova po boshatiset

08.02.2015 15:46

Arrestimi i qindra kosovarëve në kufirin Serbi-Hungari dhe bllokimi i qindra të tjerëve nëpër stacionet e trenave të Budapestit...

Arrestimi i qindra kosovarëve në kufirin Serbi-Hungari dhe bllokimi i qindra të tjerëve nëpër stacionet e trenave të Budapestit nuk i ka zmbrapsur qindra të tjerë që të shtunën në mbrëmje të marrin sërish rrugën e migrimit.

Dhjetëra autobusë edhe mbrëmë ia kanë mësyrë Serbisë, të cilët janë parë duke pritur në vendkalimin kufitar në Merdar. Ndryshe, migrimi ilegal ka boshatisur shumë qytete të Kosovës, vend që u bë shtet i pavarur shtatë vjet më parë.

Pothuajse në të gjitha qytetet e vendit po vërehet një mungesë e gjallërisë, ndërsa edhe nëpër objektet afariste edhe te zanatlinjtë ka rënë dukshëm puna.

Qytetarët e Kosovës, shtatë vjet pas pavarësisë dhe 15 vjet pas luftës, po e humbin durimin ndaj moszhvillimit ekonomik, që i ka shndërruar në lypsarë e i ka sjellë buzë varfërisë ekstreme.

Kryeqendra e Kosovës, Prishtina, qytetet tjera Mitrovica, Vushtrria, Ferizaj, Gjilani..., nuk kanë numrin e banorëve që kishin para dy muajve.

Ulëset nëpër autobusë të linjave Prishtinë- Mitrovicë-Vushtrri, Prishtinë –Ferizaj, Prishtinë- Gjilan, Prishtinë-Drenas..., e anasjelltas po mbesin jo rrallë të zbrazëta nga udhëtarët. Por, vendet në autobusët e linjës Prishtinë-Beograd, janë të rezervuara edhe disa ditë më përpara.

Kosovarët po e braktisin Kosovën përmes kësaj linje edhe pse mbi 200 veta u arrestuan nga xhandarmëria serbe teksa po kalonin kufirin ilegalisht.

As xhandarmëria serbe nuk po i tremb të ikin nga vendi, ku një pjesë e tyre që kanë emigruar e po emigrojnë gjatë luftës qëndruan në Kosovë. Tash ata kanë ndërruar mendje. Po e braktisin Kosovën, shkruan Zëri.