Maqedoni
Anulohet gjykimi "Zhan Mitrev", avokatët e rinj kërkojnë kohë të mësojnë lëndët
28.02.2023 14:03
U anulua seanca e parë gjyqësore për akuzën për mashtrim të pacientëve nga kardiologu Zhan Mitrev...

U anulua seanca e parë gjyqësore për akuzën për mashtrim të pacientëve nga kardiologu Zhan Mitrev dhe klinika e tij. Arsyeja e anulimit është se kardiologu, ka angazhuar avokatë të rinj, të cilëve u nevojitet kohë për ta mësuar lëndën dhe përgatitur mbrojtjen. Në ndërkohë, me kërkesë të prokurorisë gjykata i bllokoi llogaritë bankare të spitalit.
“Ngrirja e llogarive është propozim që prokuroria e ka kërkuar para rreth 3 muajve, por që sot gjykata vendosi. Ka reagime për disa nebuloza dhe ndjekje, por unë nuk mund të flas për atë po të them se prokuroria punon në bazë të fakteve. Nuk është pretendimi që të bllokohet puna e klinikës, përkundrazi i kishim parasysh parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë. Në njërën anë kemi interesin e të dëmtuarve që kërkojnë dëmshpërblim dhe unë ndjej nevojën të mbroj të njëjtën dhe mbrojtja ka mundësi të propozojë një shumë si garanci për kërkesat nga pacientët e dëmtuar.”, - deklaroi prokurorja publike, Iskra Haxhi Vasileva.
Gjykimi "Zhan Mitrev", bllokohen llogaritë bankare të klinikës
Sa i përket këtij vendimi nga klinika "Zhan Mitrev" thonë se gjykata ka sjellë aktgjykim pa i gjykuar, duke theksuar pamundësinë për shlyerjen e detyrimeve financiare ndaj bankave.
"Duam të informojmë opinionin se do të bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona dhe mjekimi i asnjërit pacient nuk do të vihet në pikëpyetje edhe pse procedurat në Gjykatën Penale në kërkesë të prokurorisë shkojnë në drejtim tjetër, gjegjëisht kërkojnë mbylljen tonë.", thuhet në kumtesën e klinikës "Zhan Mitrev".
Akuza ndaj Mitrevit i referohet fshehjes së fakteve kyçe rreth hemofiltrimit – metodë, e cila u paraqit si alternativë për trajtimin e pacientëve me Covid, edhe pse nuk i është lejuar ta bëjë. Aktakuza nuk ka të bëjë me faktin se pacientët në klinikën “Zhan Mitrev” kanë vdekur nga hemofiltrimi dhe trajtimi i pakujdesshëm, por që pacientëve dhe të afërmve të tyre nuk u është treguar pasqyra e plotë e metodës dhe ka ardhur deri në mashtrimin e tyre. Seanca gjyqësore e radhës është caktuar për 5 prill.
FLORIJE BELULI KAMBERI
