Botë
Publikohet “propozimi franko-gjerman”, Serbia do të njohë simbolet e Kosovës
28.02.2023 14:44
Bashkimi Evropian ka bërë publike 11 pikat e planit franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë...

Bashkimi Evropian ka bërë publike 11 pikat e planit franko-gjerman, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që u pranua në takimin e së hënës në Bruksel, nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Plani parasheh që të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare.
Sipas pikës një: “Të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet e tyre përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore.”. Sipas pikës 3: “Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën e vetëvendosjes, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimi.”. Pika 4 thotë se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Një pikë rëndësishme është edhe heqja dorë nga përdorja e forcës për zgjidhje ne konflikteve mes këtyre dy shteteve.
Bislimi: Asociacioni në përputhje me ligjet e Kosovës
Po ashtu plani parasheh edhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, ku bën pjesë edhe asociacioni. Por, kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, i ka thënë në Parlamentin Evropian se ekzistojnë tri kushte kryesore për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. “Asociacioni duhet të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës, duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e BE-së se nuk mund të ketë fuqi ekzekutive, siç është thënë në letrën që ish-përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini, ia kishte dërguar atëbotë kryeministrit të Kosovës. Së treti, që Asociacioni të mos paraqesë nivelin e tretë të pushtetit.”.
Sipas ligjeve të Kosovës, nuk mund të ekzistojë autonomi territoriale e serbëve në Kosovë, ka thënë Bislimi. Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Borrelli, paralajmëroi takimin e radhës ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në muajin mars. Ky takim do të mbahet me 18 mars në Shkup. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski është shprehur i gatshëm të jetë nikoqir i takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si pjesë e negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit, që po zhvillohen nën patronatin e BE-së dhe ShBA-së, më 18 mars në Maqedoni të Veriut, konfirmojnë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja drejt normalizimit Kosovë-Serbi është mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia dhe vendet tjera të BE-së. BE-ja pret që puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.
SAFET ADEMI
