Maqedoni
Osmani nga Uashingtoni: ShBA-ja partnere në strategjitë tona
28.02.2023 15:14
Përforcimi i bashkëpunimit mes ShBA-së dhe RMV-së, si dhe mbështetja amerikane në proceset e shumta të reformave në vend...

Përforcimi i bashkëpunimit mes ShBA-së dhe RMV-së, si dhe mbështetja amerikane në proceset e shumta të reformave në vend, kanë qenë temë në takimin mes ministrit të jashtëm, Bujar Osmani me këshilltarin e administratës amerikane, Derek Shole dhe zëvendëssekretaren e ShBA-së, Uendi Sherman. Maqedonia e Veriut nuk do të ndahet nga rruga për të jetësuar sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, ka thënë Osmani.
“Projektet dhe sferat e dakorduara në kuadër të dialogut strategjik me ShBA-në, tashmë janë pjesë e programit qeveritar të punës, në drejtim të përforcimit të institucioneve demokratike, progresi në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Falë këtij dialogu strategjik, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të bëjë hapa të mëdha drejt rritjes së prosperitetit të qytetarëve tanë, përmirësimin e sundimit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe përforcimin e institucioneve demokratike.”, ka thënë ministri Osmani.
Në kuadër të vizitës në Uashington, Osmani është takuar edhe me ndihmësadministratoren e USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Erin Mekki dhe kryedrejtorin për zhvillim në Korporatën Ndërkombëtare Financiare për Zhvillimin e ShBA-së, Endru Herskoviç. Gjatë vizitës dyditore në Uashington, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, ministri Osmani del me paraqitje para Komisionit të Helsinkit në Dhomën e Përfaqësuesve, mbi kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023”.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
