Maqedoni

Kovaçevski: Ngrihet çmimi i bukës në 33 denarë

28.02.2023 15:48

Qeveria ka shfuqizuar masën për energji të subvencionuar për prodhuesit e produkteve ushqimorë bazë...

Qeveria ka shfuqizuar masën për energji të subvencionuar për prodhuesit e produkteve ushqimorë bazë, ndërsa ka ngrirë çmimin e bukës në 33 denarë. Kryeministri Kovaçevski tha se pas inspektimeve nga inspektorati i tregut të punës është vërtetuar se e prodhuesit e produkteve ushqimore bazë kanë marrë rrymë të subvencionuar dhe të njëjtit, çmimet e produkteve të tyre nuk i kanë ulur apo i kanë ulur pamjaftueshëm, prandaj ndërpritet edhe masa për energjinë e subvencionuar për kompanitë.
 
“Rritje të pajustifikueshme të çmimeve nuk do të lejoj. Masat antikrizë në kohë të krizës nuk i sollëm që disa të jenë të privilegjuar nga të tjerët. Masat antikrizë nuk i sollëm që disa të paguajnë, ndërsa të tjerë të pasurohen, masat antikrizë nuk u sollën që të jenë goditje për qytetarët dhe të jenë në dëm të tyre dhe në përfitim të disave. Për atë arsye, në seancën e sotme të qeverisë, këtë masë e kemi shfuqizuar, prodhuesit e produkteve ushqimore bazë do të furnizohen me energji elektrike sipas ligjit për energjetikë dhe rregullores për furnizim me energji elektrike.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Bekteshi: Ngrirja e çmimit deri në maj
 
Ministri i ekonomisë thotë se ngrirja e çmimit të bukës në 33 denarë do të vlejë deri në maj të këtij viti, ndërsa vendimi sot ose më së voni nesër duhet të publikohet në gazetën zyrtare.
 
“Me këtë vendim përcaktohet çmimi më i lartë në tregtinë me pakicë për bukën e bardhë dhe gjysmë të bardhë, i prerë në copa apo i plotë. Çmimet më të larta nga prodhimet nga akti i parë (neni 1), në këtë nen përcaktohen në lartësi të çmimit prej 33 denarë për një bukë me peshë prej 450 gram ose më shumë, ndërsa për ato me peshë nën 450 gramë përcaktohet në lartësi deri në 33 denarë për një bukë, çmim i cili do të jetë në përputhje me peshën e bukës. Kjo masë do të vlejë deri 31 maj 2023.”, - u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. 
 
Furrtarët në kuadër të Lidhjes së Odave ekonomike kanë paralajmëruar se në rast se qeveria e ndërmerr një masë të këtillë, ata do të ndërpresin prodhimin e tyre, për shkak se do të shkaktonte humbje ditore të furrtarëve nga 3.000 deri në 15.000 euro. Por, ministri Bekteshi u kundërpërgjigj se në rast se furrtarët e ndërprejnë prodhimin e tyre, qeveria ka dispozita ligjore ku mund të sanksionojnë.
 
GAZMEND KURTISHI