Maqedoni
Rikonstruimi i qeverisë, katër ministrat e rinj marrin detyrat
28.02.2023 16:12
Pas zgjidhjes nga ana e kuvendit, katër ministrat e rinj, Krenar Lloga, Fatmir Mexhiti, Azir Aliu dhe Kaja Shukova...

Pas zgjidhjes nga ana e kuvendit, katër ministrat e rinj, Krenar Lloga, Fatmir Mexhiti, Azir Aliu dhe Kaja Shukova, morën detyrat pasi mbrëmë u zgjodhën në kuvend. Ata ishin pjesë e mbledhjes së parë të qeverisë në përbërjen e re të thirrur nga kryeministri Kovaçevski. Ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti në fokus do të ketë avancimin e sistemit shëndetësor.
“Jam i vendosur që të vazhdoj për avancimin dhe mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, është shprehur Mexhiti.
Ministri i drejtësisë, Krenar Lloga u zotua për vazhdimin e angazhimeve të paraardhësit të tij, Tupançevski.
“Ministri i drejtësisë, Krenar Lloga paralajmëroi reforma në gjyqësor dhe përforcimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit.”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së drejtësisë. Edhe ministri i shoqërisë informatike, Azir Aliu premtoi një sistem më të zhvilluar të informatikës.
“Paraardhësit e mi nisën disa projekte, sikurse digjitalizimi, sajber siguria dhe zhvillimi i komunikimeve informatike dhe teknologjike dhe bashkë me projektet që kemi përgatitur me ekipin tim, shpresojmë që të ndikojnë në përmirësimin e sistemit të IT.”, është shprehur Aliu.
Ministrja e ambientit, Shukova zëvendëson ministrin e deritanishëm Naser Nuredini nga radhët e BDI-së.
Kovaçevski: Shumica më efektive në miratimin e ligjeve
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski vlerëson se rikonstruimi është bërë në bazë të kushtetutës dhe shumica tanimë do të jetë më e shpejtë dhe më efektive në miratimin e ligjeve.
“Kjo qeveri është e hapur për të gjitha partitë politike, për çdo individë dhe për të gjitha institucionet dhe organizatat të cilat duan të kontribuojnë që Maqedonia e Veriut sa më shpejtë të ec drejt anëtarësimit të plotë në BE. Konsideroj se ASh-ja bëri një hap të rëndësishëm që iu bashkëngjit qeverisë. Shumica përbëhet prej 65 deputetëve, është më e madhe nga shumica më parë dhe do të mundësojë punë të shpejtë dhe më efektive të kuvendit, sikurse në miratimin e ligjeve për vazhdimin e rrugës evropiane, gjithashtu edhe në miratimin e reformave.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Seanca në kuvend vazhdon me shkarkimin e zëvendësministrave të Alternativës, ku fjalën për të folur kanë kërkuar 40 deputetë të opozitës.
MERAL ISMAILI
