Zelensky, situata në Bahmut gjithnjë e më e vështirë
Situata në qytetin e Bahmutit...

Situata në qytetin e Bahmutit, në lindje të Ukrainës, është duke u bërë “gjithnjë e më e vështirë”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Armiku është duke shkatërruar vazhdimisht gjithçka që mund të përdoret për të mbrojtur pozicionet tona.”, ka thënë Zelensky.
Disa prej luftimeve më të ashpra në Ukrainë, prej kur Rusia e ka nisur luftën një vit më parë, janë duke u zhvilluar në qytetin e Bahmutit. Forcat ruse janë duke tentuar që ta marrin këtë qytet prej gjashtë muajsh.
Ky qytet ndodhet në rajonin ukrainas të Donjeckut, i cili është nën kontrollin e Rusisë dhe aleatëve të saj separatistë.
Zelensky ka falënderuar aleatët për dërgimin e pajisjeve ushtarake moderne, në mënyrë që Ukraina të mbrohet nga “terrori rus”.
Deklaratat e liderit ukrainas kanë ardhur pasi sekretarja amerikane e thesarit, Janet Yellen, e ka paralajmëruar Kinën kundër dërgimit të armëve në Rusi.
Gjatë vizitës në Kiev, Yellen ka thënë se Shtetet e Bashkuara do t’i ndihmojnë ekonomisë ukrainase me 1.25 miliard dollarë.
