Kuvend, diskutim për shkarkimin e tre zëvendësministrave
Kuvendi vazhdoi diskutimin maratonik...

Kuvendi vazhdoi diskutimin maratonik për rekonstruimin e qeverisë. Pas shkarkimit të ministrave nga radhët e Aletrnativës dhe zgjedhjen e ministrave të ASh-së, deputetët diskutojnë propozimin për shkarkimin e tre zëvendësministrave. Përkatësisht shkarkimin e Bashkim Hasanit nga funksioni zëvendësministër i Ministrisë së Mbrojtjes, Abdylshyqyr Abedini nga funksioni zëvendësministër i Ministrisë së Bujqësisë dhe Lulzim Aliu, zëvendësministër i arsimit dhe shkencës.
Edhe për këtë pikë, opozita vazhdoi me bllokimin aktiv të Kuvendit, përkatësisht për fjalë janë paraqitur 40 deputetë. Akuzuan ASh-në se me vendimin për bashkëqeverisje me BDI-në kanë zhgënjyer votuesit.
“Shtet i robëruar është kur kemi demokraci të suspenduar. A është kjo demokraci?! Kush votonte që BDI dhe Aleanca të jenë në një qeveri?! A shqetësoheni për ata njerëz që atëherë dolën të votojnë kundër BDI-së?! Të deshën të votojnë për BDI-në, BDI do të kishte 25 deputetë. Por, s’kanë dashur të votojnë për BDI-në. Ulen dy veta merren vesh dhe e trukon gjithë vullnetin zgjedhor.”, - deklaroi deputeti i Opsionit Qytetar për Maqedoninë, Ljupço Prenxhov.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së ripërsëritën qëndrimin se riformatimi i qeverisë nuk rriti numrat e shumicës dhe nuk pritet të sjellë asgjë të re.
“Pra s’do të ndodh asgjë e re as pas kësaj të ashtuquajtur rikonstruim të ministrave dhe sot vazhdojmë me zëvendësministrat. Thjesht, siç do kishte thënë Ahmeti dhe Kovaçevski, qeveria do të vazhdojë si deri më tani. Pas tre javë debat dhe aq pompozitet në fund sërish numëruam 64 deputetë të shumicës.”, - theksoi kordinatori i GP të VMRO-së, Nikolla Micevski.
Pas shkarkimit të zëvendësministrave përkatës, Kuvendi do të diskutojë, e më pas edhe do të zgjedh tre zëvendësministrat e rinj. Përkatësisht, Kovaçevski i propozon Kuvendit që të zgjedhë Tiron, Jajagën zëvendësministër të mbrojtjes; Vjollca Berishën, zëvendësministre të bujqësisë; Agim Nuhijun, zëvendësministër të arsimit; Viktorija Madiq për zëvendësministre në drejtësi dhe Maja Manoleva, zëvendësministre të shëndetësisë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
