Maqedoni

“Grupi i zjarrit”, kritika ndaj qeverisë dhe kundër kyçjes së ASh-së

01.03.2023 14:43

I ashtuquajturi “Grupi i zjarrit” para çairasve shprehu pakënaqësitë e tyre në lidhje me kuadrot e BDI-së në ekzekutiv....

I ashtuquajturi “Grupi i zjarrit” para çairasve shprehu pakënaqësitë e tyre në lidhje me kuadrot e BDI-së në ekzekutiv. Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, tha se në këto tri vite ekzekutivi nuk ka bërë asnjë lëvizje në të mirë të shqiptarëve. Investimet kapitale nuk shkuan në komunat shqiptare, kurse ekzekutivi nuk ka komunikim të vazhdueshëm me strukturat partiake, tha Mexhiti.
 
“Ne nuk duam që nëpërmjet rrjeteve sociale të informohet ekzekutivi jonë, nuk duhet që Marin Mema të vjen për të na treguar se duhet të rregullojmë çështjen e arsimit në Jabollçisht dhe Çashkë, edhe pse udhëheqim me dikasterin e arsimit. Neve na duhet një dikaster, një ekzekutiv, i cili do të jetë në komunikim të përhershëm me qytetarin, të përhershëm me strukturat. Ne shumë ma shumë kemi bërë me ekzekutive që ka pasur më pak forcë, më pak numra, më pak ministri me kryeministra të vështirë. Edhe në kohën e Gruevskit më shumë ka lëviz fuqizimi i komunave shqiptare, edhe atëherë është bërë zyrtarizimi i gjuhës shqipe, zyrtarizimi i flamurit, zyrtarizimi i universitetit, ndërsa në këto tri vite nuk lëviz asgjë.”, - deklaroi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti. 
 
Grupi i zjarrit shprehu pakënaqësitë edhe për inkuadrimin e ASh-së në qeveri, duke thënë se në këtë mënyrë do të dobësohet BDI.
 
“Jemi dëshmitarë ku të gjitha partitë politike, pavarësisht qëndrimeve që u thanë nga bashkëpartiakët për zgjerimin e qeverisë, mbajtën mbledhje. Vetëm në BDI, fatkeqësisht nuk u mbajt asnjë mbledhje që të dimë arsyet se përse një partner duhet të del dhe një parti tjetër duhet të hyjë. Qëndrimi ynë parimor ka qenë publik dhe kemi qenë kundër të kësaj mënyre të zgjerimit të qeverisë.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Blerim Bexheti.
 
Përderisa zgjati tubimin, problemet teknike me ndriçimin dhe zërimin ishin të vazhdueshme. Folësit thanë se këto probleme janë të shkaktuara qëllimisht, përmes ndaljes së energjisë elektrike vetëm të pengohet ky tubim. 
 
ERSAN PAJAZITI