Botë
Përplasja e trenave në Greqi, humbin jetën 36 persona, dhjetëra të plagosur
01.03.2023 14:59
Përplasja kokë më kokë e dy trenave, pasagjeresh dhe mallrash, në orët e vona të së martës pranë qytetit të Larisës...

Përplasja kokë më kokë e dy trenave, pasagjeresh dhe mallrash, në orët e vona të së martës pranë qytetit të Larisës, është shndërruar në atë që sipas mediave greke, është tragjedia më e rëndë hekurudhore në historinë e vendit. Të paktën 36 persona janë konfirmuar të vdekur dhe 66 të plagosur, 6 prej të cilëve në gjendje kritike dhe po trajtohen ne terapi intensive. Megjithatë, ekziston frika se bilanci mund të rritet pasi një serë personash janë ende të bllokuar në vagonët e parë të trenit të pasagjerëve, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë. Të mbijetuarit rrëfejnë ato që i quan sekondat e tmerrit.
“Dëgjuam një zhurmë të fortë, ishin 10 sekonda tmerri; po rrotulloheshim nëpër vagonë deri sa ramë në një krah. Kishte panik, kabllo kudo dhe zjarr. Flakët shpërthyen menjëherë teksa po përmbyseshim dhe vinin nga e majta dhe e djathta.”, - tha një i mbijetuar.
“Njerëzit ishin shumë të frikësuar, shikonin rreth e rrotull dhe nuk dinin çfarë kishte ndodhur. Vagonat e parë ishin shkatërruar, vetëm copëza hekurash kishin mbetur.”, - u shpreh një dëshmitar.
Sipas raportimeve shumica e pasagjerëve ishin të rinj që po ktheheshin nga një ekskursion të zhvilluar me rastin e Kreshmës Ortodokse. Në rrethana që ende mbeten për t’u sqaruar, të dy trenat po udhëtonin në të njëjtën shinë, çka ka shkaktuar edhe përplasjen e dhunshme. Operacioni i shpëtimit ku janë përfshirë mbi 150 zjarrfikës, 17 automjete, 4 vinça dhe rreth 40 autoambulanca, është fokusuar tek tre vagonët e parë të trenit të pasagjerëve, të cilët dolën nga shinat pas aksidentit. Një prej tyre u përfshi nga flakët dhe disa persona mbetën të bllokuar.
“U përmbysëm! Një zjarr shpërtheu pranë nesh. Ky burri këtu pranë meje e pa një vrimë dhe ne arritëm të dilnim përmes saj. Por siç e shihni jam shumë i lënduar.”, - u shpreh një i mbijetuar.
Treni i pasagjerëve udhëtonte nga Athina drejt Selanikut me rreth 350 pasagjerë në bord, u përplas kokë më kokë me një tren mallrash që lëvizte në drejtimin e kundërt në luginën e Tembit, pak pas mesnatës. Policia e përshkroi këtë si një aksident tragjik dhe tha se hetues nga Athina dhe Selaniku ishin mobilizuar për të asistuar autoritetet lokale. Kryeministri, Kiriakos Mitsotakis shpalli 3 ditë zije kombëtare. Zëdhënësi i Shërbimit zjarrfikës të Greqisë, Vasilios Vatrakojanis kumtoi se aksioni është fokusuar në dy vagonët e parë të cilët janë përmbysur, ndërsa po intervenohet me ndihmën e katër vinçave të posaçëm. Paralelisht në rrjedhë është edhe procesi i identifikimit të viktimave.
FARIJE DAUTI BAKIJU
