Maqedoni
Transportuesit privat, autobusët e tyre kthehen në rrugët e Shkupit
01.03.2023 15:37
Qyteti i Shkupit dhe transportuesit privat kanë arritur marrëveshje përfundimtare për pagesën e borxhit prej 1.5 milion euro...

Qyteti i Shkupit dhe transportuesit privat kanë arritur marrëveshje përfundimtare për pagesën e borxhit prej 1.5 milion euro dhe kthimin në punë të autobusëve privat. Transportuesit privat për katër muaj nuk ishin pjesë e transportit publik të kryeqendrës, pasi Bashkia e Shkupit, ua kishte shfuqizuar kontratat. Ata thonë se bisedimet kanë përfunduar me sukses pasi kërkesat e tyre janë plotësuar.
“Ishim të manipuluar nga njerëzit që ishin deri tani. Ata i kemi izoluar, ato janë në histori për ne dhe nuk ekzistojnë dhe e kemi marrë një ekip i ri. Me një kërkesë te qyteti i Shkupit, ata neve na pranuan menjëherë dhe shumë në rregull është puna. Autobusët janë krejt gati. Do të kthehen krejt siç kanë qenë privat.”, - thanë nga transportuesit privat.
Më së voni deri të hënën do të shpallet thirrja e re publike për të gjitha linjat që janë mirëmbajtur deri më tani nga transportuesit privat.
“Disa pako janë publikuar. Sa autobusë do të jenë të kyçur. Siç e dini ne disponojmë me rreth 210 autobusë. Të gjithë autobusët do të jenë të inkuadruar në pakot. Ne e menaxhojmë procesin se si do të qarkullojnë autobusët. Ne i kemi autobusët, janë të shpërndarë në mënyrë proporcionale në të tre pakot dhe në këtë mënyrë ne do të veprojmë.”, u shprehën transportuesit privat.
Ndryshe transportuesit privat nga nëntori i vitit të kaluar, nuk kryenin veprimtarinë e tyre për shkak të borxheve të cilat kërkonin tua paguajë Qyteti i Shkupit. Në dhjetor rreth 300 autobusë, ishin të parkuar në udhëkryqet kryesore të Shkupit dhe bllokuan kryeqendrën.
SAFET ADEMI
