Maqedoni

Prodhuesit e mëdhenj të bukës nuk kanë furnizuar marketet me bukë, Qytetarët: Kishte mungesë të bukës në markete

01.03.2023 15:56

Prodhuesit e mëdhenj të bukës mbetën në paralajmërimin dhe në shenjë revolte ndaj vendimit të qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës në 33 denarë...

Prodhuesit e mëdhenj të bukës mbetën në paralajmërimin dhe në shenjë revolte ndaj vendimit të qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës në 33 denarë, ata sot nuk kanë furnizuar marketet në vend. Se nuk është shpërndarë bukë nëpër marketet e vendit e vërtetojnë edhe shitësit.  
 
“Bukë nuk ka, furrat nuk po punojnë dhe po bojkotojnë, na kanë thënë që më së paku 1 javë nuk do të ketë bukë, për momentin këtë informatë e kemi për më tutje nuk e dimë. Qytetarët janë të revoltuar kërkojnë lloj-lloj buke, bukë të zezë, dietale, por për momentin nuk ka dhe kthehen.”, - tha një shitës.
 
Se kishte mungesë të bukës, na thanë edhe qytetarët. 
 
“Kemi blerë, mirëpo nuk kishte prej asaj buke prej të cilës kishim nevojë. Do të fillojmë të blejmë miell, tani dhe do të gatuajmë.”, - u shpreh një qytetar.
 
“Dëgjova që nuk ka bukë, përveç asaj edhe çmimi është i lartë.”, - tha një qytetar.
 
E vetmja mënyrë për t’u furnizuar me bukë për qytetarët, ishin furrat e vogla të cilat kanë vazhduar punën. 
 
“Duke pasur parasysh që ka mungesë të bukës nëpër markete, besoj që  e vetmja mënyrë që të gjinden qytetarët janë furrat e vogla dhe ne po mundohemi që t’ju dalim në ndihmë me aq sa kemi mundësi. Sa i përket vendimit të qeverisë, ata duhet t’i kenë parasysh edhe shpenzimet e tjera si materiali, rryma e gjëra të tjera.”, - theksoi një furrtar.
 
Nga grupacioni i furrtarëve, edhe sot kanë përsëritur qëndrimin se mbeten në vendimin për të ndërprerë prodhimin e bukës për shkak se ky vendim është në dëm të tyre. Nga ana tjetër, ministri i bujqësisë e arsyetoi vendimin për ngrirjen e çmimeve se është në interes të qytetarëve.   
 
“Nuk mundet të sillen disa masa që dikush të pasurohet, ndërsa dikush tjetër të varfërohet, qeveria është e qytetarëve dhe për qytetarët. Vlerësoj se vendimi është sjellë në bazë të gjitha informatave të cilat i kishte Ministria e Ekonomisë, Inspektorati i tregut të punës dhe qytetarët duhet të mbrohen.”, - deklaroi ministri i bujqësisë, Ljupço Nikolovski.
 
Mbi 150 inspektorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut kanë dalë në terren që nga mëngjesi i sotëm dhe po kryejnë kontrolle në markete dhe furra buke. Inspektorët kontrollojnë, nëse respektohet vendimi i Qeverisë për ngrirjen e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë dhe nëse ajo shitet me çmim prej 33 denarë. Ministri i ekonomisë, Bekteshi dit më parë njoftoi së të gjithë ato që nuk do të respektojnë këtë vendim do të sanksionohen.
 
GAZMEND KURTISHI