Maqedoni

Forumi ekonomik: Qeveria kërkon plan me data konkrete për integrim

01.03.2023 16:15

Maqedonia e Veriut mbetet e palëkundur në rrugëtimin evropian të vendit edhe përkundër iniciativave rajonale....

Maqedonia e Veriut mbetet e palëkundur në rrugëtimin evropian të vendit edhe përkundër iniciativave rajonale të bashkëpunimit është shprehur kryeministri, Dimitar Kovaçevski në Forumin ekonomik “Dellfi” në Shkup. Sipas kryeministrit është çështje kohe kur do të bëhet anëtarësimi.
 
“Tanimë nuk është çështje se Ballkani Perëndimor do të bëhet pjesë e BE-së, por kur do të bëhet pjesë e Unionit. Ne jemi vend, i cili çështjet e hapura dypalëshe, rajonale ose në nivel ndërkombëtarë i zgjidhim me rrugë diplomatike e jo me dhunë. Andaj për ne është i papranueshëm agresioni rus në Ukrainë. Shteti ynë së bashku me Serbinë dhe Shqipërinë veç më funksionon si miniunion evropian.”, - deklaroi  kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Dialogu Kosovë – Serbi, Kurti: Normalizimi me njohje të ndërsjellë
 
Edhe kryeministrat e Kosovës dhe Malit të Zi, Kurti dhe Abazoviç shikojnë rajonin në perspektivë me mbylljen e çështjeve dypalëshe. Raundi i radhës i dialogut Kosovë –Serbi do të zhvendoset në Shkup, ku kryeministri Kurti pret normalizim të raporteve midis të dyja vendeve.
 
“Progresi demokratik dhe ekonomik është njohur nga organizata prestigjioze ndërkombëtare, por krahas kësaj, marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale dhe ne na nevojitet të normalizojmë raportet midis dy vendeve tona dhe konsideroj se normalizimi mund të bëhet me njohje të ndërsjellë. Kjo u tha nga presidenti Bajden, sekretari Blinken dhe kancelari Sholc.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Abazoviç: Arritja e marrëveshjes, nxitje për rajonin
 
Kryeministri i Malit të Zi, Abazoviç thotë se zgjidhja dypalëshe Prishtinë - Beograd do të jetë nxitje e fuqishme për tërë rajonin duke relaksuar situatën.
 
“Dua të inkurajoj të dyja palët që të gjejnë zgjidhje të përbashkët në raportet Kosovë – Serbi, pasi që nëse ne gjejmë këtë zgjidhje, atëherë do të japim nxitje të fuqishme për mbarë rajonin, jo vetëm për këto dy vende. Ne mbështesim qëllimin e ndërkombëtarëve, përfundimisht të arrihet marrëveshje. Unë jam mbështetës i iniciativave të ndryshme, sikurse Ballkani i Hapur.”, - u shpreh kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.
 
Gir: Fokusi i integrimit të vihet në reforma
 
Abazoviç foli edhe për kufi më fleksibil në Ballkan për qarkullim pa letërnjoftime. Në debat u theksua roli kyç i BE-së me dhënien e mbështetjes maksimale që të përmbushen premtimet kundrejt Ballkanit Perëndimor. Euroambasadori Gir kërkoi nga Maqedonia e Veriut të vë fokusin në reforma.
 
“Ne gjithashtu jemi duke aplikuar mbështetje thelbësore për të ndërtuar kapacitete administrative në vend. E dimë që kapacitetet administrative janë të dobëta për t’u zbatuar reformat që të bëheni anëtare efektive e BE-së, andaj edhe administrata duhet të jetë e fuqishme. Kjo është tejet e rëndësishme në procesin e anëtarësimit.”, - deklaroi euroambasadori, Dejvid Gir.
 
Procesi i nisur i skriningut, u vlerësua pozitivisht, por që ambasadori i Italisë, vend anëtarë i BE-së kërkoi unifikimin e faktorit të brendshëm politik gjatë zbatimit të reformave dhe negocimit.
 
 
MERAL ISMAILI