Botë

Blinken: Në samitin e G20, nuk do të takoj ministrat e jashtëm rus dhe kinez

01.03.2023 18:42

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk do të takohet me ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Kinës...

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se nuk do të takohet me ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Kinës, gjatë samitit të kësaj jave të Grupit 20 që mbahet në Nju Dehli.
 
Ai akuzoi Moskën se nuk është serioze lidhur me dhënien fund të luftës në Ukrainë.
 
“Nuk kam plane të takohem me asnjërin prej tyre në G20”, tha Blinken për gazetarët në Tashkent përpara se të nisej drejt Nju Delhit, duke shtuar se pret që të marrë pjesë në sesione grupore me ta.
 
Blinken ka refuzuar të takohet me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës një vit më parë, duke hedhur poshtë deklaratat e Rusisë se është e gatshme për të diskutuar për luftën që nisi presidenti rus, Vladimir Putin. 
 
“Nëse Rusia – presidenti Putin – vërtetë janë të përgatitur të angazhohen në diplomaci të mirëfilltë, të nevojshme për t’i dhënë fund agresionit, sigurisht që ne do të ishim të parët që do të punonim për këtë angazhim, por nuk ka asnjë provë për këtë”, tha Blinken.
 
Kina së fundmi ka paraqitur një propozim për paqe për Ukrainën. Blinken ka thënë se ky propozim ka “elemente pozitive”, por Kina duhet të vë theksin në rivendosjen e sovranitetit të Ukrainës, nëse “është vërtetë serioze” për diplomacinë.