Botë

Kina dhe Bjellorusia, apel për negociata rreth konfliktit në Ukrainë

01.03.2023 20:10

Presidentët e Kinës dhe Bjellorusisë kanë apeluar për armëpushim dhe negociata...

Presidentët e Kinës dhe Bjellorusisë kanë apeluar për armëpushim dhe negociata, që do të sillnin një zgjidhje politike për konfliktin në Ukrainë.
 
Kjo thirrje e përbashkët u bë gjatë takimit në Pekin midis liderit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, aleatit të ngushtë të Rusisë dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping. Ky qëndrim është mbështetje për propozimin kinez për paqe prej 12 pikash që u prezantua javën e kaluar. 
 
Ky propozim bën thirrje që të respektohet integriteti territorial i të gjitha shteteve. Por, në dokument nuk thuhet se çfarë do të ndodhë me rajonet ukrainase që Rusia ka okupuar që nga nisja e pushtimit e as nuk jep detaje se si duhet të zhvillohet procesi i paqes.
 
Propozimi kinez ka dështuar që të marrë mbështetje të madhe nga shtetet e tjera. Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ka thënë se ky propozim ka “elemente pozitive”, por Kina duhet të vë theksin në rivendosjen e sovranitetit të Ukrainës nëse “është vërtetë serioze” për diplomacinë.