Botë
Ukrainë, Rusia intensifikon sulmet në Bakhmut
02.03.2023 11:03
Kievi zyrtar njofton se Rusia ka intensifikuar sulmin e saj ndaj Bakhmutit gjatë 24 orëve të fundit...

Kievi zyrtar njofton se Rusia ka intensifikuar sulmin e saj ndaj Bakhmutit gjatë 24 orëve të fundit, duke ushtruar presion të jashtëzakonshëm mbi mbrojtësit ukrainas në rajonin lindor të Donjeckut.
Zyrtarët rajonalë të Ukrainës deklaruan se granatimet gjatë natës në Zaporizhja kishin vrarë të paktën tre civilë. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës raportoi se kishin zmbrapsur mbi 170 aksione ofensive ruse në lindje dhe verilindje, që është më shumë se dyfishi i numrit krahasuar me 24 orët e mëparshme. Shumica e sulmeve kishin për cak qytetin e Bakhmutit, por zona të tjera si Lymani, Avdijvka dhe Shakhtarsk ishin gjithashtu në shënjestër.
Forcat ruse kanë nisur sulme të shumta të këmbësorisë për të rrethuar dhe shkëputur linjat e furnizimit të Ukrainës. Pavarësisht shkatërrimit të qytetit, dhjetëra mijëra civilë janë ende brenda Bakhmutit. Ushtria raportoi, gjithashtu, zjarr artilerie në bregun perëndimor të lumit Dnieper në Kherson, nga i cili forcat ruse ishin tërhequr në nëntor. Sipas raportit të mëngjesit të Shtabit të Përgjithshëm, sulmet ruse ndaj objektivave civile dhe të infrastrukturës u raportuan gjithashtu në rajonin verilindor të Kharkivit dhe Poltavas në Ukrainën qendrore, duke plagosur njerëz dhe duke dëmtuar infrastrukturën.
