Maqedoni
Lajçak: Takimi i radhës Kurti - Vuçiq në Ohër
02.03.2023 11:55
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak....

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak, ka bërë të ditur se takimi i radhës në kuadër të dialogut, do të mbahet në fund të muajit në Ohër.
Lajçak në një postim në Twitter bën të ditur se ka pasur një takim me zëvendëskryeministrin maqedonas për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, gjersa e ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për mbështetjen e dialogut Kosovë - Serbi.
“Një takim të shkëlqyer me zëvendëskryeministrin Mariçiq. I jam mirënjohës Maqedonisë për mbështetjen e fortë ndaj dialogut dhe mezi pres takimin e radhës për dialogun në Ohër, në fund të muajit. Diskutuam gjithashtu çështje thelbësore për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.”, shkruan Lajçak.
Ndryshe, të hënën në Bruksel kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë pajtuar për Planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve, megjithëse i njëjti nuk është nënshkruar nga Vuçiq.
