Maqedoni

RMV aplikon për një projekt kapital, për trajtimin e kancerit me rreze jonike

02.03.2023 14:23

RMV do të aplikojë për ndërtimin e një qendre kërkimore për terapi tumorale dhe kërkime biomjekësore...

RMV do të aplikojë për ndërtimin e një qendre kërkimore për terapi tumorale dhe kërkime biomjekësore, bazuar në përshpejtuesit e rrezeve jonike që është një iniciativë e rëndësishme në fushën e shkencës shëndetësore, thotë ministri i arsimit, Jeton Shaqiri. Ky projekt pritet të kushtojë rreth 250 milionë euro dhe është një investim i rëndësishëm për zhvillimin e teknologjisë së përshpejtuesve të rrezeve jonike në Maqedoni të Veriut. Komuniteti ndërkombëtar i shkencës dhe teknologjisë ka shprehur mbështetjen e tij për ndërtimin e kësaj qendre kërkimore. 
 
“Në këtë institut planifikohet të trajtohen çdo vit një mijë pacientë me kancer, me përdorimin e rrezeve jonike dhe ky do të jetë një kontribut veçanërisht i rëndësishëm në luftën kundër kësaj sëmundjeje, fatkeqësisht, do të thosha, e përhapur sot. Pavarësisht, nëse aplikimi ynë do të pranohet apo jo, Instituti do të vazhdojë të jetë i destinuar për rajonin, përfshirë qytetarët tanë dhe ne si dhe të gjitha vendet e tjera që janë pjesë e kësaj nisme të nisur në vitin 2017, kjo nismë do të kushtojë rreth 250 milionë euro, sipas parashikimeve dhe do të financohet nga fondet evropiane, si dhe nga buxheti i të gjitha vendeve anëtare të bordit drejtues.”, - deklaroi ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri. 
 
Në kuadër të aktiviteteve që lidhen me Institutin, tashmë është duke u zhvilluar akreditimi i lëndëve të ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve lidhur me terapinë e grimcave, të cilat do të studiohen në Universitetin Kiril dhe Metodij, si dhe janë duke u zhvilluar dy tema doktorature me tema që kanë të bëjnë me mbrojtjen nga rrezatimi në Fakultetin e Shkencave dhe Matematikës. Projekti pritet të jetë një ndër projektet më të rëndësishme të zhvillimit shkencor dhe teknologjik  dhe do të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit dhe cilësisë së jetës së pacientëve të sëmundjeve tumorale në rajon. 
 
SEDAT SELIMI