Maqedoni
Dita botërore e mbipeshës, parandalimi nga obeziteti, që në fazë të hershme
02.03.2023 15:03
Numri i personave me mbipeshë në vend është në rritje të vazhdueshme....

Numri i personave me mbipeshë në vend është në rritje të vazhdueshme. Gjithnjë e më shumë janë të rinjtë që kanë probleme me obezitetin. Mjekët thonë se 20 për qind e popullsisë në RMV po përballet me obezitetin.
“Ngritja e vetëdijes së popullatës në përgjithësi, përmes programeve të veçanta në kuptim të përmirësimit të cilësisë së jetës, mënyra e drejtë e të ushqyerit, aktiviteti fizik, është e nevojshme të bëhet largimi i ushqimeve të shpejta fast food, lëngjeve të gazuara, qëndrimi për kohë më të gjatë afër kompjuterëve dhe televizorëve, d.m.th. qëndrimi ulur për kohë më të gjatë duhet larguar, sepse është nga rreziqet kryesore për mbipeshë.”, - u shpreh endokrinologu, Irfan Ahmeti.
Sa më shumë që të flitet për mbipeshën, aq më tepër do të largohen stereotipet, thonë mjekët. Pasojat nga obeziteti mund të jenë fatale për shëndetin e njeriut. Ngritja e vetëdijes është faktor kyç për zgjidhjen e problemit.
“Nëse mbipesha paraqitet në fazë të hershme, si tek fëmijët dhe të rinjtë, që kohëve të fundit kemi problem duhet menjëherë të qasen në mënyrë serioze si në sëmundje që çon në komplikime kronike, gjegjësisht rrezik për paraqitje të sëmundjeve që mund të përfundojnë me vdekje.”, - theksoi endokrinologu, Irfan Ahmeti.
Me qëllim që të parandalohet mbipesha, nga shoqata paralajmërojnë programe në bashkëpunim me institucionet. Me moton “Eja të flasim për mbipeshën”, u shënua dita botërore e mbipeshës në dekanatin e fakultetit të mjekësisë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
