Botë
Greqi, aksidenti me trenat, shkon në 47 numri i viktimave
02.03.2023 15:35
Ka shkuar në 47 numri i viktimave si pasojë e përplasjes së dy trenave në Greqi....

Ka shkuar në 47 numri i viktimave si pasojë e përplasjes së dy trenave në Greqi. Herët në mëngjes, ekipet e shpëtimit gjetën tre trupa të tjerë brenda vagonit të tretë. Dyshohet se janë të paktën edhe 16 të zhdukur, por hetimet ende nuk kanë përfunduar.
Pas këtij aksidenti, që konsiderohet më i rëndi në historinë e vendit, kanë shpërthyer protesta të dhunshme në Greqi. Dhjetëra protestues, kryesisht sindikalistë dhe mbështetës të grupeve të majta u përleshën me policinë në sheshin qendror të kryeqytetit grek, në vazhdim të manifestimit që nisi para selisë së firmës private hekurudhore “Helenik Trein”. Ata mbanin në duar qirinj në nderim të viktimave të kësaj tragjedie. Autoritetet greke pritet të nisin kryerjen e testeve të ADN-së për të bërë identifikimin e të gjitha viktimave. Ndërkaq, tragjedia rezulton të jetë shkaktuar nga një gabim njerëzor.
"Një aksident i tmerrshëm hekurudhor pa precedent në vendin tonë. Do të bëjmë hetimin e plotë dhe të pavarur. Akoma nuk dihet, por duket se përplasja ishte "kryesisht për shkak të një gabimi tragjik njerëzor.", - theksoi kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis.
Përgjegjësi i turnit, një 59-vjeçar që u arrestua të martën pranoi përpara hetuesve se kishte harruar të aktivizonte ndërruesen e binarëve. Ai tha se e kuptoi me shumë vonesë që dy trenat lëviznin në drejtime të kundërta në të njëjtin binar dhe se nuk pati kohë të korrigjonte gabimin.”. Ministri grek i Transportit, Kostas Karamanlis pas kësaj tragjedie ka dhënë dorëheqje.
“Po largohem nga detyra "në shenjë respekti ndaj njerëzve që vdiqën në mënyrë të padrejtë. Kam bërë përpjekje për ta ndryshuar këtë sistem, por nuk arrita. Do të marr përgjegjësinë për “dështimet e gjata” të autoriteteve për të rregulluar një sistem hekurudhor, që nuk ishte i përshtatshëm për shekullin e 21-të.”, - deklaroi ministri grek i transportit, Kostas Karamanlis.
Komisioni i BE-së paditi Greqinë në 15 shkurt për mosrespektimin e masave të sigurisë në linjën hekurudhore, pavarësisht fondeve shumë milionëshe të investuara nga BE herë pas here. Treni me rreth 350 pasagjerë ka qenë duke udhëtuar nga Athina për në qytetin verior të Selanikut. Shumë prej udhëtarëve ishin studentë që ktheheshin nga festimet e karnavaleve. Sipas burimeve paraprake katër shqiptarë rezultojnë të zhdukur. Interciti kishte shpejtësi 166 km/orë në momentin e përplasjes, ndërsa temperatura në dy vagonët e parë pas përplasjes ka arritur në 1500 gradë C, gjithçka ka shkrirë, thonë forcat e ekipit special të shpëtimit, që e përshkruajnë si eksperienca më shokuese që kanë jetuar deri tani. Qeveria në Greqi shpalli tre ditë zie kombëtare pas incidentit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
FARIJE DAUTI BAKIJU
