Maqedoni

Taksi – transportuesit kërkojnë zgjidhjen e problemit të lëshimit të targave të verdha

02.03.2023 16:58

Rreth 200 vetura për taksi-transport dhe mbi 300 taksistë vozitës në kryeqytet nuk punojnë për shkak të problemeve...

Rreth 200 vetura për taksi-transport dhe mbi 300 taksistë vozitës në kryeqytet nuk punojnë për shkak të problemeve burokratike me targat e verdha që duhet të vendosin në automjete. Taksistët thonë se nuk mund të marrin licencën pa poseduar targat e verdha. Andaj kërkojnë që ligji i ri i Qarkullimit Rrugor të vihet në pritje, që të marrin licencën e nevojshme me tabelat e bardha, e më pas të mund t’i marrin tabelat e verdha. Sipas Gjorgi Marinovskit, i cili përfaqëson 19 kompanitë e taksistëve, pohoi se nga ky problem një numër i madh i kolegëve të tij rrinë në shtëpi për disa muaj vetëm se nuk mund të marrin targa të verdha. 
 
“Një numër i madh i kolegëve tanë, për muaj të tërë po qëndrojnë në shtëpi, vetëm për faktin se nuk mund të pajisen me targa të verdha, ndërsa problem është që të njëjtit kur ta ndryshojnë automjetin e tyre shkojnë tek kontrolli teknik dhe aty nuk u japin targa të verdha dhe u thonë se duhet të posedojnë certifikatë për licencën, kurse për ta marrë këtë certifikatë i dërgojnë tek Qyteti i Shkupit, ndërsa Qyteti i Shkupit u thotë se fillimisht duhet t’i keni targat e verdha. Pra, vetëm shëtisim nga njëri në institucionin tjetër, vetëm për faktin se nuk ka koordinim mes tyre.”, - deklaroi përfaqësuesi i 19 kompanive të taksistëve, Gjorgi Marinovski.
 
“Me këto ligje të cilat i ka sjellë MPB së bashku me Qytetin e Shkupit rrezikojmë që realisht të mbesim pa taksistë, e pastaj edhe 60 denarë do të detyrohet të paguajnë qytetarët, por nuk do të kemi vetura të mjaftueshme.”, - theksoi Faik Sylejmani nga kompania “Elita Union”.
 
Ligji është miratuar nga Ministria e Ekonomisë dhe duhet ta rishikojnë, por siç kuptojmë duhen të paktën tre muaj që ai ligj të ndryshohet, prandaj të njëjtit kërkojnë nga institucionet që ta lënë atë problem në pritje. 
 
FITIM KRYEZIU