Botë

BE, dërgesa shtesë të municioneve për Ukrainën

03.03.2023 11:49

BE planifikon përshpejtimin e dërgesave të municioneve për Ukrainën....

BE planifikon përshpejtimin e dërgesave të municioneve për Ukrainën. Zyrtarët e Bashkimit Evropian dhe vendet nga blloku i përbërë prej 27 shtetesh po diskutojnë planet për të dhënë një miliard euro shtesë, si dhe krijimin e një skeme të përbashkët prokurimi për të përshpejtuar dërgimin e artilerisë për të cilën Ukraina thotë se është vendimtare për t’iu kundërvënë forcave ruse. Me Ukrainën, që po përballet me mungesë municionesh për të luftuar Rusinë, ideja e krijimit të një plani veprimi të ngjashëm me atë të krijuar gjatë pandemisë së virusit Korona për të blerë vaksina u soll për herë të parë në tryezë muajin e kaluar nga kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas. Për të financuar projektin, shtetet anëtare do të duhet të përdorin njëmiliardë euro shtesë, pasi ata tashmë ranë dakord në dhjetor për të plotësuar Fondacionin Evropian të Paqes me 2 miliardë euro të tjera dhe me një mundësi për një shtesë prej 3.5 miliardë eurosh. 
 
Sipas një zyrtari të BE-së, gjithsej 12 kompani në nëntë shtete anëtare po prodhojnë municionin e nevojshëm për Ukrainën. Komisioni Evropian do t’i stimulojë këto kompani që të rrisin prodhimin, me garanci për kërkesë afatgjatë. Sipas vlerësimeve të ndryshme, Ukraina po gjuan 6.000-7.000 predha artilerie çdo ditë, që është rreth një e treta e totalit të Rusisë. Plani do të diskutohet nga ministrat e mbrojtjes së BE-së javën e ardhshme.