Botë
Kusari – Lila: Qeveria po nxjerrë maksimumin e mundur në dialog
03.03.2023 14:23
Qeveria aktuale e Kosovës po tenton të nxjerrë maksimumin nga hapësira e ngushtë...

Qeveria aktuale e Kosovës po tenton të nxjerrë maksimumin nga hapësira e ngushtë që është krijuar ndër vite në dialogun me Serbinë, vlerëson koordinatorja e grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosja”, Mimoza Kusari Lila, duke komentuar dakordimin e Kosovës dhe Serbisë me planin e BE-së për normalizim të marrëdhënieve. Sipas saj në proceset e mëparshme ishte komprometuar edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, edhe çështja e njohjeve nga shtete mosnjohëse. Ndërsa, sa u përket të drejtave të komuniteteve, Kosova ka një ndër kushtetutat më të avancuara në rajon dhe vendet e BE-së, thotë koordinatorja e grupit parlamentar të “Vetëvendosjes”.
“Më shumë se çdokush tjetër si udhëheqës në Republikën e Kosovës, jemi të interesuar që të drejtat e komuniteteve të jenë ato që sigurojnë barazi të plotë për të gjithë, por jo në dëm të njërit ose komunitetit tjetër.”, - deklaroi Mimoza Kusari Lila nga Lëvizja “Vetëvendosja”.
Hoxhaj: Kosova tani të fokusohet te plani i zbatimit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se pasi kryeministri Albin Kurti ka thënë po në Bruksel në takimin e 27 shkurtit, Kosova duhet ta ketë vëmendjen tani te plani i zbatimit të propozimit evropian.
“Ku do të duhej ta ketë vëmendjen Qeveria e RKS-së dhe Kurti si kryeministër është që të shoh se si këto nene të kësaj marrëveshje ta kenë një plan të zbatimit, i cili mbron interesat e Republikës së Kosovës.”, - theksoi Enver Hoxhaj nga PDK.
Tahiri: Kosovës duhet t’ia heqim kurthin e dialogut
Kosovës duhet t’ia heqim kurthin e dialogut, thekson Besnik Tahiri nga AAK.
“Prej vitit 2011 jemi në kurth të dialogut, hap andej një marrëveshje e hap një tjetër. Me i dhënë epilog dhe me iu kthyer jetës, sepse na shkoi rinia e na u varfërua ekonomia.”, - u shpreh Besinik Tahiri nga AAK.
Marrëveshja Kosovë – Serbi, Hill: Një nga gjërat më të rëndësishme në Evropë
Kosova dhe Serbia në takimin në Bruksel kanë treguar se janë “shumë seriozë për të ecur përpara” ka vlerësuar ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill. Sipas tij, Bashkimi Evropian ka investuar shumë përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që ka rëndësi historike.
“Është një nga gjërat më të rëndësishme që po ndodh në Evropë tani dhe nuk mendoj se duam të ecim me ritëm të ngadaltë, por sa më shpejt”.
Megjithëse Kurti dhe Vuçiq kanë pranuar propozimin e BE-së, Qeveria e Kosovës vazhdon të refuzojë themelimin e Asociacionit njëetnik për komunat me shumicë serbe. Derisa presidenti serb Vuçiq ka deklaruar se megjithëse me propozimin e BE-së parashihet që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, ai një gjë të tillë nuk do ta respektojë.
GYLTENE SINANI
