Maqedoni

Ngrirja e çmimit të bukës, Kovaçevski apelon kompanitë të prodhojnë bukë

03.03.2023 15:27

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, fton kompanitë e prodhimit të bukës që të tregojnë përgjegjësi...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, fton kompanitë e prodhimit të bukës që të tregojnë përgjegjësi dhe prodhojnë bukë me çmimet e ngrira, pasi e kanë obligim me subvencionet e marra për energji më të lirë. Kovaçevski i zhgënjyer nga reagimi i disa kompanive thotë se do të shfrytëzohen të gjitha masat ligjore që kompanitë mos të përfitojnë në kurriz të qytetarëve.
 
“Si kryeministër nuk do të lejoj që dikush të përfitojë në kurriz të qytetarëve në këtë krizë të madhe. Kompanitë, të cilat për momentin nuk duan të prodhojnë kësi lloj buke janë kompanitë të cilat fituan pjesën më të madhe të subvencioneve për rrymë të lirë prej 80 euro mega vat orë. Këtë vlerë të energjisë në kohën e krizës më të madhe, nuk mund ta gjeni askund në treg. Me këtë konsideroj se ata do të duhet të tregojnë përgjegjësi dhe të prodhojnë, pasi për këtë kanë edhe marzhë të kalkuluar nga industria e prodhimit të bukës.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski. 
 
Përderisa furrat më të vogla kanë vazhduar prodhimin, sipas Kovaçevskit nuk mban arsyetimi i kompanive me kapacitete të mëdha të prodhimit se nuk janë në gjendje të prodhojnë bukë për 33 denarë.
 
“Qeveria veç më ka sjellë vendim shtesë me të cilën i obligon kompanitë që 80% e sasive që kanë prodhuar në dhjetor, që t’i prodhojnë edhe tani dhe t’ua dorëzojnë tregtarëve. Në bazë të punës së inspektorëve të cilët janë në terren, do të marrim vendime të tjera bazuar në zbatimin e vendimeve aktuale.”,  - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Në ministrinë e ekonomisë po bëhen analiza për ngrirjen edhe të çmimeve të produkteve të tjera. Kovaçevski thotë se së shpejti mund të vijojë edhe ngrirje e çmimeve të produkteve të tjera bazë.

MERAL ISMAILI