Maqedoni
Ndryshime kushtetuese, Kovaçevski: Partitë politike t’i përkrahin edhe realisht
03.03.2023 16:11
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, fton partitë politike të jenë në një vijë sa i përket ndryshimeve kushtetuese...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, fton partitë politike të jenë në një vijë sa i përket ndryshimeve kushtetuese dhe integrimeve në tërësi dhe po ashtu, sa deklarativisht, aq edhe praktikisht t’i mbështesin këto procese. Votat prej 80 deputetësh, sipas tij janë domosdoshmëri për shumë ligje në fushat të ndryshme shoqërore, jo vetëm për kushtin e parë që i hap rrugën tutje bisedimeve me Unionin Evropian.
“Ndryshimet kushtetuese nuk shtyhen, por votohen në parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Ndryshimet kushtetuese janë vetëm një nga vendimet që kërkon dy të tretën e shumicës për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Me 2/3 e votave do të duhet të bëhen ndryshime edhe në sferën e prokurorisë, në sferën e drejtësisë, në decentralizim, reforma në administratë, prandaj nevojitet një konsensus i gjerë kombëtar, social dhe politik. Qytetarët tanë duan dhe e meritojnë të jetojnë sipas standardeve evropiane, por kjo bëhet në vend anëtarë të BE-së.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Mickovski për ndryshimet kushtetuese: Qytetarët s’e njohin si problem, hall e kanë jetesën
Për opozitën maqedonase, tensioni për ndryshimet kushtetuese sidomos nga pushtetarët, nuk bëhet në realitet për përfshirjen bullgarëve në kushtetutë, por nënkupton shpëtimin e disa politikanëve. Qytetarët, sipas Mickovskit, nuk i njohin si problematikë ndryshimet kushtetuese, por mungesën e një jetese cilësore dhe dinjitoze.
“Ndryshimet kushtetuese nuk janë problem, sepse as që i përmend dikush ndryshimet kushtetuese. Ne kemi hajni në secilin hap, nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit. Në sytë e qytetarëve nuk ekzistojnë si problem ndryshimet kushtetuese, janë problemet në shëndetësi, arsim, qytetarët do t’ju numëronin 15 prioritete tjera dhe nëse nuk ua kujtoni ndryshimet kushtetuese as që do t’i përmendnin, si problemi ekziston në kokat e disa politikanëve.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Ndërkohë, nga fqinji lindor vazhdojnë të insistojnë nga kërkesat. Ambasadori bullgar, Angel Angelov ka ripërsëritur se Maqedonia e Veriut mund t’i fillojë bisedimet reale me BE-në, vetëm nëse i plotëson obligimet e miratuara në Këshillin e BE-së.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
