Maqedoni
Kërcënimet e rreme për vendosje të bombave, Kovaçevski fton në takim MASh dhe MPB
03.03.2023 16:33
Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka thirrur në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski...

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, ka thirrur në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski dhe ministrin e Arsimit, Jeton Shaqirin, për të shqyrtuar masa shtesë në përballjen me kërcënimet e rreme për vendosje të bombave në institucionet shkollore. Sipas tij,vendi ende nuk e ka humbur sajber luftën, këto sulme hibride janë pjesë e luftës që po ndodh në Ukrainë dhe kjo situatë nuk po ndodh vetëm në RMV, por te një numër i madh i vendeve anëtare të NATO-s. Sipas tij MASh dhe MPB po punojnë në vazhdimësi për zgjidhjen e kësaj problematike.
“Për të parandaluar braktisjen e shkollave , Ministria e Brendshme dhe Ministria e Arsimit punojnë çdo ditë për të gjetur një mënyrë për të zbatuar procedurat që do të garantojnë se bëhet fjalë për një raport të rremë për bombë dhe fëmijët të mund të ndjekin mësimin. Edhe unë jam prind dhe përballem me të njëjtat probleme, sa i përket edukimit të fëmijëve të mi. Nuk është diçka që nuk e di se çfarë po ndodh, por duhet të besoni që edhe Ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit po punojnë për zgjidhjen e këtij problemi.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Mickovski akuzon MPB-në për amatorizëm, prindërit paralajmërojnë protesta pas 15 ditësh
Por, sipas kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, MPB-ja ka sjellje amatoreske, sepse drejtorë të shkollave janë këshilluar nga MPB të injorojnë adresat elektronike. Po ashtu, ai kritikon presidentin Pendarovski se nuk po thirr këshillin e sigurisë dhe në këtë mënyrë rrezikohet siguria e nxënësve.
“Fatkeqësisht po e them përsëri, ne po përballemi me politikanët më kriminelë dhe të paaftë, që nuk kanë strategji dhe nuk dinë të përballen me sfidat dhe viktimat janë më të shtrenjtit tanë fëmijët tanë, pavarësisht nëse janë në shkolla fillore apo të mesme. Pas ekzibicioneve me KOVID-in, prej muajsh jemi dëshmitarë të paaftësisë epike nga ana kompetentëve dhe ministrive të resorit.”, - theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Nga MPB paralajmëruan apdejt të protokollit për veprim gjatë kërcënimeve për bomba, por nuk ka detaje se si do të realizohet një gjë e tillë, ndërsa në shkollë nuk do të mund të hyjnë prind të paparalajmëruar. Ndërkohë, “Nisma qytetare”, mësim dhe libra duhet të ketë, ka kërkuar nga MASh që në afat prej 15 ditëve të zgjedh situatën e krijuar sa i përket sigurisë në objektet shkollore, në të kundërtën paralajmërohen protesta.
FLUTURA LATIFI
