Maqedoni
Udhëzime të reja për kërcënimet e rreme, do t’u sqarohen drejtorëve të shkollave
03.03.2023 17:17
Ministri i Punëve të brendshme, Oliver Spasovski dhe drejtori i Byrosë për siguri publike, Sashko Tasevski...

Ministri i Punëve të brendshme, Oliver Spasovski dhe drejtori i Byrosë për siguri publike, Sashko Tasevski mbajtën takim koordinativ me kryeministrin, Kovaçevski dhe ministrin e Arsimit, Jeton Shaqiri, me ç’rast u prezantuan udhëzimet e reja të MPB-së për përballje me kërcënimet hibride. MPB do të sigurojë patrulla policore të përhershme për sigurimin e shkollave, bën të ditur qeveria.
“Në mënyrë komplementare me udhëzimet e hartuara nga MPB, po punohet edhe për një udhëzim me masa të Ministrisë së Arsimit për të gjithë drejtorët e të gjitha shkollave në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët do të kenë obligim që ta zbatojë atë për të forcuar sigurinë e nxënësve dhe stafit mësimdhënës dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor. Masat për forcimin e sigurisë së shkollave dhe procesit mësimor do t'u shpjegohen në detaje drejtorëve të shkollave në ditët në vijim, ndërsa prindërit dhe publiku do të njoftohen me kohë”, thuhet në kumtesën e qeveris së RMV-së..
Kovaçevski: Nuk e kemi humbur luftën hibride
Paraprakisht, kryemisnitri Dimitar Kovaçevski deklaroi se vendi nuk e ka humbur sajber luftën.
“Si sistem nuk e kemi humbur këtë sajber luftë dhe nuk do ta humbim. Kjo sajber luftë dhe luftë hibride është pjesë e luftës që po zhvillohet në Ukrainë dhe këtë e kemi të gjithë të qartë, sepse nuk po ndodh vetëm te ne, por edhe në shumë vende tjera anëtare të NATO-s.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Mickovski akuzon MPB-në për amatorizëm, prindërit paralajmërojnë protesta pas 15 ditësh
Por, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski deklaroi se MPB ka sjellje amatoreske, sepse drejtorë të shkollave janë këshilluar nga MPB të injorojnë adresat elektronike. Po ashtu, ai kritikon presidentin Pendarovski se nuk po thirr këshillin e sigurisë dhe në këtë mënyrë rrezikohet siguria e nxënësve.
“Fatkeqësisht po e them përsëri, ne po përballemi me politikanët më kriminelë dhe të paaftë, që nuk kanë strategji dhe nuk dinë të përballen me sfidat dhe viktimat, janë më të shtrenjtit tanë, femijët tanë, pavarësisht nëse janë në shkolla fillore apo të mesme. Pas ekzibicioneve me KOVID-in, prej muajsh jemi dëshmitarë të paaftësisë epike nga ana kompetentëve dhe ministrive të resorit.”, - theksoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
Ndërkohë, “Nisma qytetare” mësim dhe libra duhet të ketë, ka kërkuar nga MASh, që në afat prej 15 ditëve të zgjedh situatën e krijuar sa i përket sigurisë në objektet shkollore, në të kundërtën paralajmërohen protesta.
FLUTURA LATIFI
