Botë
Aksidenti i trenit në Greqi, në mesin e 57 viktimave edhe shqiptarë
03.03.2023 17:39
Autoritetet greke përfunduan operacionin e kërkim-shpëtimit pas përplasjes së dy trenave në zonën e Tempit...

Autoritetet greke përfunduan operacionin e kërkim-shpëtimit pas përplasjes së dy trenave në zonën e Tempit, në Greqinë e Veriut, mbrëmjen e së martës. Sipas zyrtarëve nga Shërbimi Zjarrfikës grek, 57 të vdekur janë nxjerrë nga rrënojat e trenit të pasagjerëve, që u përplas me trenin e mallrave, por ende ka persona të pa gjetur.
Ambasada shqiptare në Athinë konfirmoi emrat e tre shqiptarëve që mendohet se ishin në tren, por trupat e tyre ende nuk janë gjetur. Bëhet fjalë për Klaudia Lata, studente 21 vjeçare e mjekësisë, Pavlin Bozo që punonte në vagonin e trenit dhe Denis Ruçit.
“Nuk kemi asnjë informacion ku gjendet, ishte te një prej vagonëve ku u shpëtuan shumë të rinj. Ju lutem të gjithëve, bëj apel ndaj gjithë atyre të rinjve që ndodheshin në këtë vagon, nëse e panë, qëndronte në karrigen me numër 22. Nëse dikush do e njohë nga fotografitë, ju lutem më njoftoni, sepse nuk po e gjej djalin tim. Nuk e di në se ishte ulur në vendin e tij në momentin e përplasjes apo kishte shkuar në vagonin e restorantit.”, - u shpreh nëna e 23 vjeçarit Denis Ruçit, Mirela Ruçi.
Po ashtu, në mesin e viktimave është identifikuar edhe 23 vjeçarja me origjinë shqiptare, Ifigjenia Micka. Vazhdojnë të trajtohen në Repartin e Mjekimit Intensiv të intubuar, shtetasi shqiptar, Roberto Dristi 25 vjeç që ka thyerje në shumë pjesë të trupit, ndërsa 23 vjeçarja, Anisa Liuri, ka mbërritur dhe mjekohet në spitalin e traumës Papanikolau në Selanik.
Ndërkohë, protesta shpërthyen në Selanik dhe Athinë, të nxitura nga aksidenti i rëndë i trenave. Pikëpyetje kanë lindur së fundi, sipas shtypit grek edhe nga dy bombola gazi të gjetura në vendin e aksidentit, të cilat mund të kenë luajtur një rol vendimtar në shpërthimin e ndodhur në trenin e pasagjerëve pas përplasjes me trenin e mallrave.
BELINDA KOKA ADEMI
