Shitoret sërish furnizohen me bukë nga 33 denarë

04.03.2023 14:10

Prej sot ka nisur shpërndarja e bukës....

Prej sot ka nisur shpërndarja e bukës. Raftet nëpër markete dhe në shitore janë mbushur me bukë, të bardhë dhe gjysmë të bardhë prej 450 gramësh, por me çmim të ngrirë prej 33 denarë.

Industria e furrave në këtë situatë  ka lëshuar pe, por ende nuk heqin dorë nga kërkesa për të rikuperuar humbjet përmes proceseve gjyqësore, pasi qeveria me vendim i detyrojë të prodhojnë të paktën 80 për qind në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar.

Qytetarët prej dy ditësh kanë kërkuar ndihmë në furrat e vogla lokale dhe ende janë të indinjuar nga kriza kriza e krijuar me bukën.

“Të njëjta jan çmimet, mendoj për të bardhin 33 denarë. Për sot çdo gjë në rregull.”

“Bukë ka sa të duash, vetëm se është nga 45, 50, 60 denarë bukë special. Atë bukën e bardhë prej 450 nga 33 në mëngjes  kishin gatuar shumë pak dhe është harxhuar.”

“Do të gatuaj bukë. Përse dikush në kurrizin tonë të pasurohet. Do të gatuaj edhe pse i kam 80-të.” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.

Inspektorët e Inspektoratit Shtetëror të Tregut (IShT), rritën kontrollet në terren për të kontrolluar nëse po respektohet vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës. Këta për dy ditë kanë kryer kontrolle në 460 subjekte ekonomike. 

Është vërejtur se vendimi për ngrirjen e çmimit të bukës në përgjithësi respektohet, por ka edhe nga ata që e kanë shkelur atë, për të cilët gjobat janë mbi 300 mijë denarë.

Në varësi të madhësisë dhe llojit të operatorit ekonomik gjobat variojnë nga 800 deri në 10.000 euro.

Në departamentin e ekonomisë bëhen analiza dhe paralajmërohen masa të reja për përballimin më të lehtë të krizës ekonomike.

Ditë më parë kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se çmimi i bukës është ngrirë për shkak se kompanitë nuk i kanë ulur çmimet e produkteve bazë përkundër masave anti-krizë të Qeverisë.

Gjithashtu, qeveria hoqi çmimin e subvencionuar të energjisë elektrike. Qeveria vendosi për këtë hap pasi analizat e Ministrisë së Ekonomisë dhe shërbimeve të inspektimit rezultuan se kishte keqpërdorime me çmimet. (Safet Ademi, TVM2)