Rritet numri i personave me obezitet, mjekët: Parandalimi që në fazë të hershme
Obeziteti është një nga sëmundjet më të përhapura....

Obeziteti është një nga sëmundjet më të përhapura dhe kronike që kanë nevojë për trajtim dhe parandalim mjekësor sistematik. Mjekët thonë se shumë faktorë gjenetikë, fiziologjikë dhe të sjelljes ndaj ushqimit lujanë rol në etiologjinë e obezitetit. Në vendin tonë numri i personave me mbipeshë është në rritje.
20 përqind e popullsisë po përballet me obezitetin.
Sipas mjekëve është e rëndësishme ndërgjegjesimi i popullatës për këtë sëmundje, sepse obeziteti shkakton komplikime shëndetësore dhe pasojat mund të jenë fatale.
“Fatkeqësisht çdo ditë e më tepër po rritet numri me mbipeshë në vend. Nevojitet sa më shumë edukim për këtë sëmundje sepse shkakton komplikime shëndetësore. Ne si shoqatë duhet të qasemi në mënyre multidisciplinare në parandalimin e mbipeshës, sepse jo vetëm të rriturit kanë probleme me mbipeshën por edhe fëmijët” – tha endokrinologu, Irfan Ahmeti.
ISHP në kuadër të monitorimit të gjendjes shëndetësore ka arritur në konkluzion se ekziston rritje të obezitetit tek moshat e reja deri në 15 vjeç, por ka rritje të theksuar edhe tek mosha e mesme.
“ISHP jep rekomandime, duke filluar nga nxënësit të ushqyerit, forma e të ushqyerit nëpër shkolla, nëpër kuzhina, por edhe në shtëpi. Këto rekomandime duhet të respektohen nga prindërit sa u takon fëmijëve, pasi si rezultat i obezitetit të theksuar kemi shumë raste të fëmijëve me diabet që është rezultat i obezitetit, apo implikime tjera shëndetësore. Tek të rriturit kemi rekomandime, botime të caktuara, të ushqyerit, forma të ushqyerit si fitohet obeziteti, si eliminohet obeziteti, cilat janë pasojat e obezitetit, p.sh tek të rriturit janë pasojat e sheqerit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe sëmundje të ndryshme dhe të gjitha këto dokumente regjistrohen në ISHP dhe jepen rekomandime të caktuara për qytetarët” – u shpreh Drejtori i ISHP-së, Shaban Memeti.
Në suaza botërore numri i personave me mbipeshë është rreth 650 milion. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
