Sistemi i drejtësisë, me vullnet politik luftohet korrupcioni
Sistemi i drejtësisë në përgjithësi nuk është në nivelin e duhur....

Sistemi i drejtësisë në përgjithësi nuk është në nivelin e duhur të përgjegjësive dhe në ushtrimin e kompetencave që ka. Është e nevojshme që të gjitha institucionet të kenë një vullnet dhe përgjegjësi të madhe në hetimin e të gjitha rasteve dhe aferave korruptive si dhe në implementimin e normave juridike.
Kështu thekson eksperti juridik Fadil Xhelili, sipas të cilit aktorët politik kanë rolin kyç në përmirësimin e situatës.
“Pa dyshym, këtu përveç vullnetit politik, tek partitë politike dhe aktorët politik duhet një ndihmë dhe mbështetje e madhe edhe e miqve tanë ndërkombëtarë. E gjithë kjo është një luftë e përbashkët që në moment të caktuar kur të vendoset dhe do të ketë vullnet për të ju qasur do të fillojë të ndryshojë situata politike, do të rriten përgjegjësitë tek funksionarët publik dhe në ndërkohë do të ndikojë në mënyrë të përgjegjshme edhe tek strukturat politike që pretendojnë të vinë në pushtet dhe të qeverisin me vendin, në të kundërtën do të vazhdojë kjo gjendje anemike, do të vazhdojë rënia akoma më e madhe e besimit tek pushteti gjyqësor. Për fat të keq e gjithë kjo ka sjellur në një situatë dëshpëruese, ku besimi është humbur si në pushtetin gjyqësor, e mos të flasim për pushtetin ekzekutiv” – u shpreh eksperti juridik, Fadil Xhelili.
Është e nevojshme që situata sa më shpejtë të shkojë drejt përmirësimit të standartit jetësorë, shton eksperti juridik Fadil Xhelili, sipas të cilit jo rastësisht rinia synim kanë Perëndimin.
Implementimi i normave ligjore dhe ndryshimi dhe plotësimi i legjislacionit që përfshnin krimin e organizuar dhe korrupcionin, janë një hap i rëndësishëm dhe një mënyrë serioze për të aplikuar drejtësinë dhe për ta luftuar seriozisht dhe me sukses krimin dhe korrupcionin. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
