Kosovë, shënohet 25 vjetori i epopese së UÇK-së

05.03.2023 17:35

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë...

Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u mbajt Ceremonia e Rreshtimit të Njësive Ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në kuadër të aktiviteteve për shënimin 25-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe të familjes Jashari.

Në ceremoni morën pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, drejtues të tjerë të institucioneve vendore e përfaqësues diplomatikë të vendeve mike, përfaqësues të familjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari e familjarë të tjerë të dëshmorëve. Ceremonia filloi me intonimin e himnit kombëtar dhe shtetëror nga orkestra frymore e FSK-së, për të vijuar me nderimet te Obelisku i Lirisë. Në vazhdim të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu drejtuan presidentja Osmani, kryeministri Kurti dhe përfaqësuesi i Familjes Jashari, Rifat Jashari. Vëllai i heroit Adem Jashari, Rifat Jashari, tha se është kënaqësi për të që të jetë pranë kësaj ushtrie që është pritur për kohë të gjatë.

“Sot, Ushtria Çlirimtare e Kosovës na u bashkua për 25-vjetorin e Epopesë së lavdishme, është një kënaqësi me qenë para kësaj ushtrie që e kemi pritur dem baba dem. Ua urojë 25-vjetorin, u uroj shëndet e punë të mbarë e ishalla Zoti na ndihmon, të arrijmë qëllimet tona shekullore për hir të luftës, gjakut të bijve e bijave tona, të dëgjojmë një gjuhë të përbashkët dhe të arrijmë qëllimet tona në maksimum si të gjitha shtetet që ekzistojnë në botë, lavdi të gjithë të rënëve” – tha Rifat Jashari, vëllau i heroit Adem Jashari.

“Ishte viti 1993 kur vllau më i madh i tyre, Baci Rifat Jashari që punonte në Gjermani, do ti dërgonte Ademit dhe Hamzës Uniforma Ushtarake, dhe ato Uniforma simbolikishtë ishin Uniformat e para të UÇK-së, dhe pikërishtë Rifat Jashari është sot në mesin tonë dhe përballë mijëra uniformave që mbajnë të veshura ushtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës” – deklaroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në 25-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit, si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës më 5, 6 dhe 7 mars do të organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pikërisht, më 5 mars bëhen 25 vjet të rënies së komandantit legjendar, Adem Jashari, familjes së tij dhe Jasharajve të tjerë.

Më 30 dhjetor të vitit 1991, ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari. Ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kishin kryer në muajin janar, 1998. Sulmi i tretë, që kishte ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz. (Fitim Kryeziu, TVM2)