Maqedoni
Problemet me transportin publik, qyteti i Shkupit shpall thirrje të re publike
06.03.2023 12:15
Sërish aktualizohet problematika e transportuesve privat të cilët qysh në nëntor të vitit të kaluar...

Sërish aktualizohet problematika e transportuesve privat të cilët qysh në nëntor të vitit të kaluar për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me borxhin nga ana e qytetit të Shkupit, ndërprenë punën dhe filluan të bllokojnë edhe udhëkryqet e kryeqendrës. Gjatë ditës pritet që qyteti i Shkupit të shpallë thirrje të re publike për përfshirjen e autobusëve privatë në transport.
Nga qyteti i Shkupit përmes një komunikate qysh në fillim të kësaj problematike njoftuan se thirrja publike do të përmbajë kushtet për aplikim, si në dy thirrjet e paraprake publike, me faktin se çdo transportues që planifikon t’i përmbahet kontratës për transport publik do të mund të aplikojë me ndershmëri dhe përgjegjësi.
Nga qyteti përmendën se nuk kanë borxh ndaj transportuesve dhe se dispozitat kontraktuale parashikojnë vetëm kushte për kryerjen e transportit në territorin e Shkupit, por më vonë u pa se kjo qasje është e gabueshme. Në lidhje me borxhin e NTP “Shkup” ndaj transportuesve privatë, qyteti përmes një komunikate ka bërë të ditur se mjetet do të paguhen sipas kontratave të nënshkruara, derisa vazhdon thirrja publike për kontrata të reja për transport publik. Transportuesit privatë nuk janë pjese e transportit publik të qytetit që në nëntor të vitit 2022 për shkak të borxheve që kërkuan t’i paguante qyteti i Shkupit. Më pas 300 autobusë të parkuar në udhëkryqet kryesore bllokuan kryeqytetin. Transporti publik i qytetit vazhdoi të funksionojë vetëm me autobusë të NTP-së, ndërsa qyteti i Shkupit publikoi dy shpallje për transportuesit privatë, në të cilat nuk kishte aplikuar asnjë kompani.
