Boshkova: Është zhdukur Samoil Kostadinovski

06.03.2023 17:36

Prej katër ditësh nuk ka asnjë shenjë nga 26 vjeçari, Samoil Kostadinovski...

Prej katër ditësh nuk ka asnjë shenjë nga 26 vjeçari, Samoil Kostadinovski, familjar i ish-ministrit të brendshëm, Lube Boshkovski. I njëjti nga ana e familjes së tij është paraqitur si i zhdukur para tre ditësh, ndërsa dyshohet se Samoili është i kidnapuar në afërsi të Ambasadës së Republikës së Çekisë në Shkup, apo më konkretisht në lagjen Kisella Vodë.

Samoili, përndryshe është nipi i vëllait të gruas së Boshkovskit, Violeta Boshkova, e cila në një deklaratë dhënë mediave të vendit ka pohuar se familja ende nuk e di arsyen e zhdukjes së tij dhe se Samoili nuk ka folur në shtëpi nëse ka pasur probleme.

“Ka katër ditë që është zhdukur, askush nuk di asgjë, ndërsa policia është në kërkim. Samoili është fëmija i vëllait tim dhe është 26 vjeç. Ka dalë nga shtëpia, gjoja e kanë thirrur në Kisella Vodë apo Draçevë. Një burrë, ku kanë lënë makinën, ka thënë se ka zbritur nga makina e tij dhe ka hipur në një tjetër, ku ndodheshin tre persona. Pastaj ata thanë se ndodhi në ambasadën çeke, ai dyshohet se u transferua në një makinë të vjedhur. Tani për tani askush nuk di asgjë dhe telefoni i tij është i fikur.", - u shpreh Violeta Boshkova.

Spasovski: Rasti i Kostadinovskit trajtohet si zhdukje

Por, nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme këtë rast akoma nuk është duke e trajtuar si kidnapim, por si i zhdukur.

Nga Sektori i Ministrisë së Punëve të Brendshme në Shkup, i kanë pohuar familjes së janë duke e kërkuar, që nga dita kur familja e ka lajmëruar si të humbur.

Ndërsa, Ministri i MPB-së, Oliver Spasovski, në një prononcim, ka pohuar se sektori i krim-teknikës është duke i ndërmarrë të gjitha masat.

“Që nga dita e djeshme janë duke u ndërmarrë një sërë masash rreth procedurave të kriminalistikës që është duke i ndërmarrë sektori i MPB-së në Shkup. Pasi të grumbullohen këto të dhëna, do t’i rishikojmë të gjitha këto fakte të cilat do të dalin nga procedura e grumbullimit të të dhënave dhe më pas të veprojmë në gjetjen e personit që është paraqitur si i zhdukur.”, - deklaroi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.

Denoncimin për zhdukjen e 26-vjeçarit, Samoil Kostadinovski, është dorëzuar në polici nga vëllai i tij në orën 8 të mëngjesit të datës 4 mars. Nga MPB-ja thonë se po punohet për zbardhjen e rastit dhe gjetjen e djalit.

Familjarët kanë kërkuar ndihmë edhe nga qytetarët e rëndomtë, të cilët kanë apeluar që të informohet familja për çfarëdolloj informacioni që mund të kenë, kjo thirrje ishte bërë edhe nëpër rrjetet sociale, por më pas ishte larguar. (Fitim Kryeziu, TVM2)