Maqedoni

Vrasje në Çarshi të Shkupit, MPB: Dy të vdekur, punohet në zbardhjen e rastit

07.03.2023 13:59

Një ditë pas vrasjes së dyfishtë në Çarshinë e Shkupit, vërehet qetësi dhe dyer të mbyllura të kafenesë...

Një ditë pas vrasjes së dyfishtë në Çarshinë e Shkupit, vërehet qetësi dhe dyer të mbyllura të kafenesë, ndërsa komunikacioni në rrugën "Samoilova" sërish është i kalueshëm. Sipas MPB-së një grup prej 5 personash të maskuar dhe veshur në të zeza, kanë hyrë dhe kanë kryer sulmin e armatosur ndaj mysafirëve në kafene. Sipas të dhënave të policisë, viktimat kanë ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa një mysafir ka mbetur i plagosur dhe të njëjtit i është dhënë ndihma mjekësore në klinikën e qytetit "Naum Ohridski".
 
Trupat e viktimave janë dorëzuar në autopsi. Kryerësit e veprës penale janë në arrati, ndërsa pak kohë pas ngjarjes, MPB ka gjetur një veturë të djegur. Me urdhër të prokurorit publik, janë marrë në bisedë informative më shumë persona dhe po ndërmerren masa adekuate për zbardhjen e vrasjes, thuhet në njoftimin e MPB-së. 
 
“Më 06.03.2023 në ora 20:11 minuta në SPB-Shkup është denoncuar se në një objekt hotelieri në rrugën “Samoilova” në Shkup 5 persona të veshur me të zeza dhe me maska në kokë, kanë shtënë me armë zjarri drejt personave J.K. 37 vjeç dhe E.I. 28 vjeç, të cilët kanë ndërruar jetë në vendngjarje, derisa personi i plagosur A.T. 34 vjeç është dërguar në Spitalin e Qytetit për kurim dhe pas sanimit të plagëve është lëshuar në kurim shtëpiak. Për rastin menjëherë është njoftuar edhe prokurori publik, i cili ka dalë në vendngjarje dhe me urdhër të të cilit trupat janë dërguar në autopsi. Rreth orës 20:30 në rrugën drejtë Orizares së Epërme është djegur një makinë “Audi A6".", thonë nga MPB. 
 
Nga prokuroria themelore publike, njoftojnë se janë marrë gjurmë në vendngjarje, ndërsa janë dhënë urdhra dhe udhëzime me qëllim të sigurohen të gjitha dëshmitë e nevojshme, që do të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI