Botë
Konflikti ruso-ukrainez, qyteti Bakhmut, pothuajse plotësisht i shkatërruar
07.03.2023 14:23
Qyteti Bakhmut është pothuajse plotësisht i shkatërruar dhe nën zjarr të vazhdueshëm të artilerisë....

Qyteti Bakhmut është pothuajse plotësisht i shkatërruar dhe nën zjarr të vazhdueshëm të artilerisë. Granatimet intensive ruse janë regjistruar në rajonin e Donetskut dhe fshatrat përreth. Ushtarët ukrainas po i rezistojnë sulmeve ruse dhe po pengojnë Moskën të japë goditjen përfundimtare që do t'i lejonte ata të kapnin qytetin.
“Nuk numërojnë humbjet, as personelin, as automjetet ushtarake. Bakhmuti nuk është thjesht një qytet, ai është një simbol, një kështjellë. Është e papranueshme t'u japim atyre qytetet dhe fshatrat tona. Prandaj ne do të qëndrojmë në këmbë, do të mbrohemi dhe do të zbatojmë të gjitha urdhrat e komandantit suprem.”, - deklaroi komandanti i një kompanie tankesh, Poltava.
Analistët thonë se Bakhmut ka pak vlerë strategjike dhe kapja e tij nuk ka gjasa të shërbejë si një pikë kthese në konflikt. Presidenti ukrainas tha se vendi do të vazhdojë të mbrohet. Ndërkohë ka bërë ndryshime në sigurinë dhe shërbimet sekrete në Ukrainë.
“I thashë komandantit të përgjithshëm të gjente forcat e duhura për të ndihmuar djemtë në Bakhmut. Okupatori vret vetëm për faktin se ne jemi ukrainas. Dhe ne e shkatërrojmë pushtuesin kudo. Bakhmut dha, dhe po jep një nga rezultatet më të mëdha gjatë kësaj lufte, gjatë gjithë betejës për Donbasin.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Mbështetja e regjimit në Kiev nga vendet e NATO-s nuk çon në suksesin e ushtarëve ukrainas në fushën e betejës, thotë ministri rus i Mbrojtjes. Ai njoftoi se operacioni për kapjen e Bakhmutit ukrainas vazhdon.
“Çlirimi i Bakhmutit vazhdon. Ky qytet është një qendër e rëndësishme mbrojtëse për ushtarët ukrainas në Donbass. Marrja e kontrollit do të mundësojë veprime të mëtejshme sulmuese thellë në mbrojtjen e Forcave të Armatosura të Ukrainës.”, - u shpreh ministri i mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu.
Forcat ruse po intensifikojnë gjithashtu granatimet në rajonin verilindor të Kharkiv. Kupiansk ndodhet rreth 30 kilometra nga kufiri rus dhe përballet me sulme ajrore të vazhdueshme. Autoritetet vendosën të evakuojnë popullsinë civile. Ministri i ri i Jashtëm kinez ndërkohë konfirmoi miqësinë midis Kinës dhe Rusisë. Sipas Chin Gang, konflikti në Ukrainë duket se ushqehet nga një dorë e padukshme në shërbim të agjendave të caktuara gjeopolitike.
FITORE DEMOLLI
