Maqedoni

Osmani në krye të degës së Çairit, Mexhiti: Vendimi i dështuar, thellon përçarjen

07.03.2023 15:01

Përzgjedhja e Bujar Osmanit për kryetar të degës së BDI-së në Çair nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti...

Përzgjedhja e Bujar Osmanit për kryetar të degës së BDI-së në Çair nga kryetari i partisë, Ali Ahmeti, ka shkaktuar reagimin e kryetarit të deritanishëm të kësaj dege, Izet Mexhiti. Ai fton kreun e partisë në kthimin e debatit dhe përzgjedhjen sipas statutit të partisë duke thirrur kuvendin. Mexhiti konsideron se vendimi i tillë nuk shpie partinë në rrugë të drejtë.
 
“Nuk ka të bëjë me emërimet personale sa ka të bëjë d.m.th. me atë që është një akt jo demokratik, një akt që nuk përkon me statutin, pra është një vendim jo statutar, jo legjitim, një pozicion, i cili nuk ekziston në organogramin e BDI-së, thjesht pra është një vendim inati, vendim revanshizmi, i cili nuk kontribuon në rrugë të mirë të BDI-së, por përkundrazi e thellon ndarjen dhe përçarjen brenda BDI-së.”, - deklaroi deputeti i BDI-së, Izet Mexhiti.
   
BDI: Vendimi, sipas statutit të partisë
 
Nga BDI-ja, vendimin e kryetarit Ahmeti, e arsyetojnë duke u mbështetur në nenin 46 të statutit të partisë në të cilin thuhet:
 
“Kryetari i partisë, në emër të partisë i pezullon vendimet e degëve, shkarkon drejtuesit e degëve dhe të këshillave vendore dhe emëron ushtrues detyre në këto organe, si dhe shërben Degën ose Këshillin Vendor të partisë, që bie ndesh me përcaktimet e programit ose statutin e partisë.”, (NENI 46)
 
Grubi: Të riaktivizojmë strukturën në Çair
 
Emërimi i Osmanit, koordinator i aktiviteteve të partisë në Çair, është përkrahur edhe nga zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
“Bujar Osmani ka mbështetjen time për të riaktivizuar strukturën në Çair pas tre viteve mungesë të aktiviteteve partiake në degën tonë dhe në këshillat vendor në kuadër të degës”, ka shkruar Grubi në profilin e tij në facebook, duke ftuar qytetarët e Çairit që t’i bashkëngjiten me ide të reja për një BDI sa më të fuqishme në Çair.
 
MERAL ISMAILI